E ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte piktorja autodidakte Gonxhe Voja që dikur ka qenë mësuese biokimie. Ajo foli për ekspozitën e saj të tretë që ka hapur javën e kaluar pranë Galerisë së Arteve në Tiranë. ”Një ëndërr e realizuar” quhet ekspozita që i ka dhënë mundësi artdashësve të Kryeqytetit që të shijonë art.
“Babai nuk më ka përkrahur në rrugën e artit, por unë nuk hoqa dorë kurrë nga piktura” tha 77-vjecarja në fillim të bisedës.
Pasionet e saj janë të shumta, veç pikturës, ajo qep me makinë dhe fotografon çdo gjë që syrit të artistes nuk mund t’i shpëtoj.
”Isha 50-vjeç kur preka bojrat për herë të parë, nga një i afërm që më solli nga Gjermania, më pas në vitin 2007 hapa ekspozitën time të parë dhe munda të shes 6 pikturat e para” tha Gonxhja në studio.
“Unë do t’a cilësoja artin si “sëmundje” pasi nëse futësh në këtë rrugë, e ke të pamundur të dalësh prej saj” vazhdoi më pas ajo. Ajo nuk e ka harruar kënaqësinë e shitjes së pikturës së parë. ”Nuk mund t’a harroj kënaqësinë e shitjes së pikturës së parë, kur u ndjeva si me krah” tha e moshuara, teksa komentonte disa nga fotot e ekspozitës.
Një tjetër pasion i madh i Gonxhes është dhe fotografia.”Në një konkurs fotografie që u bë disa vite më parë, ku konkuronin fotograf nga e gjithë bota, u zgjodha e katërta në botë duke marrë mbi 5 milion yje vlerësuese” u shpreh ajo teksa fliste për pasionin e saj të dytë, fotografinë. ”Fotografia më merr shumë kohë, gati 6 orë në ditë, ndaj kur futem në atë “botë” më merr shumë energji” theksoi Gjonxhja. Në fund të bisedës, ajo foli dhe për raportin e mirë që ka me ish-nxënësit e saj dhe me një në veçanti, që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, i liroi shtëpinë e tij falas për të kaluar momentin e vështirë që po kalonte.