4 komandantët e UÇK të akuzuar në Hagë

Haga në hall… ndihmoni prokurorin!

3 Prill 2023, 17:39| Përditesimi: 3 Prill 2023, 17:46

  • Share

E ashtuquajtura Zyra Speciale është strukturë e sistemit kosovar të drejtësisë me përbërje, tre gjyqtarë dhe dy prokurorë, pa asnjë lidhje gjeografike, morale e historike me Kosovën. Do të ishte e mirëpritur nëse kishin njohuri modeste për luftën 100-vjecare kundër kolonializmit serb. Vendi ku jepen vendimet e gjykatës speciale të Kosovës është Haga, shumë larg Kosovës. Gjyqi kundër UÇK pretendon të jetë historik, por asnjëherë nuk do të mund të jap ndonjë mesazh të tillë, për aq sa po e shtrembërojnë historinë. Përkundrazi, rrezikojnë të jenë paradoksalë sepse referohen në histori që shoqëria kosovare i ka kapërcyer para 30 viteve dhe duke u shqiptuar në kohë krizash, vetëm se krijojnë kriza artificiale. Edhe deklarimet e mjaft emisarëve politikë dhe diplomatikë nuk e bëjnë aspak më të besueshme, përkundrazi më politike gjykimin.

Halli i Hagës shtohet sepse dy burimet për lëndë të parë, dyshja Dickut (Marti) dhe Karlës (de Ponte), por edhe bodrumet e Beogradit kanë harxhuar gjithë materialin e sajuar dhe pjesa më e madhe e dëshmitarëve janë vetdemaskuar. Nëse konfirmohen deklarimet e njeriut më të besuar të Trumpit (Grenell) aktiviteti i gjykatës është tërësisht i paragjykuar, por i justifikuar vetëm për të vet mbajtur në këmbë një strukturë artificiale dhe tërësisht jashtë kohës. Këtë e përforcon edhe Financial Time, ditën e djeshme kur e quan Gjykatën një krijesë që mbart të gjitha pozicionet politike të vendeve që përfaqësojnë.

Një miting madhështor. Kujt po i drejtohet Haga? Imagjinoni që Haga do ta shqiptojë këtë vendim, të vetëquajtur historik, për të ardhmen e popullit të Kosovës në sheshin “Skëndërbej” në Prishtinë në një miting nën moton “Liria ka një emër”. Dita e djeshme ishte manifesti më i fuqishëm, i popullit në mbështetje të komandantëve të vet. Mitingu tregoi që populli është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se partitë politike. Ishin me qindra mijëra “dëshmitarë”, që vështirë mund ti mbajnë Zyra e Posaçme e Hagës, si një krijesë për Kosovën, por me qëndrim dhe me përbërje, jashtë Kosovës. Pikërisht këta do të flasin në emër të popullit të Kosovës, atje në sheshin ku ndodheshin dje. Përndryshe nga ata dhjetëra, që prokurori ka thirrur në Hagë, ata qindra mijëra ‘dëshmitarë’ i thirri ndërgjegjja e tyre për të qenë në krah të komandantëve.

3 prilli, në Hagë, një ditë me mjegull, do të kujtohet si një ditë kur do të goditej historia e luftës së Kosovës. Pas qershorit 1999, ku UÇK së bashku me NATO  çliroi Kosovën, shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, me bekimin e aleatëve të mëdhenj dhe të 2010 kur u konfirmua, përfundimisht legjitimiteti  i Republikës së Kosovës, vjen dita që do të gjykoj flamurtarët e këtyre ngjarjeve. Ditë që më shumë vjen si një shpagim për Serbinë se sa një merak për Kosovën.

Haga vjen me një akuzë sa konfuze aq edhe të paragjykuar… hall i madh. Pavarësisht nga aftësitë e aktrimit të prokurorit të sotëm,  jo kosovar, në Hagë, jo në Kosovë, akuza mbeti përsëri në nivelin e pamfletit politik pa taban, ngjashëm me atë që ngriti para tre vitesh prokurori Smith. Befasi dukej gjatja për luftë të armatosur midis partive politike… Në emër të kujt, nga kush, deri ku…flitet për vitet ‘98-’99, kur luftohej për mbijetesën e kombit.  Prokurori në mënyrë gati kaotike shpallte një akt-akuzë të mbushur me terma kriminale, por më tepër duke kërkuar ndihmë në kohë dhe motive të papërcaktuara, midis partive në Kosovë, për të fituar pushtet kur pushteti ishte në duart serbe, pushtuesi që kryente gjenocid, spastrim etnik, përdhunime. Edhe për fëmijët, por edhe naivët lufta në atë kohë kishte vetëm dy fronte, pushtuesi dhe bashkëpunëtorët, që digjnin e vrisnin Kosovën dhe UÇK, që luftonte të mbronte jetën e njerëzve. Akuza  duke shmangur pushtuesin serb e zhvendos objektin e luftës kryesisht  midis shqiptarëve. Ndoshta prokurori beson në një luftë me topa bore…

Një prokurori dhe gjykatë në hall. Akuza e ngritur më parë mbi librin e Karlës (de Ponte), dhe të Dickut (Mart) të provuar si produkt i shërbimit sekret serb, tashmë po i bashkëngjiten kapituj me lidhje të dyshimta, me fashikuj të hequr e me dëshmitarë mjaft të dyshimtë. Akt-akuza, po luan me një  topi të grisur e të shfryrë pasi nuk respekton kauzën, kohën dhe hapësirën. Përgjakja historike  midis Serbisë dhe Kosovës shtrihet në histori të gjatë, por prokurori shumë pak duket se i intereson dhe e shmang nga konteksti. Duke shmangur në kohë me mbulesën e injorimit historinë e masakrave të shtetit serb mbi popullsinë shqiptare ai përdor gjuhë me pak dallime nga ato  Ruanda, Eritrea apo Kongo (Kinshasa). Hallet e Hagës shtohen kur lidhen me ngjarjet dramatike në Ukrainë, apo me vendosjen në një kontekst me Rusinë dhe Putinin që nuk po bëjnë asgjë më pak se Serbia në kohën e Milloshevicit. A do të gjykohen edhe komandantët ukrainas një ditë siç po ndodh me ata kosovarë. Ka mjaft ngjashmëri, por në të dy rastet po gjykohen  komandantë që luftojnë të shpëtojnë kombin e tyre. Serbia vështirë të bëhet më e mirë duke dënuar shqiptarët…

Paradokse dhe parodi të akuzës… Ndërsa  Haga dhe sejmenët flasin se  padia është individuale, e vërteta e dukshme është se në të përfshihet gjithë zinxhiri komandues i UÇK. Aq saktë  sa është zgjedhur ky zinxhir edhe bodrumet e Beogradit do ta kishin zili.  Me gjethen e fikut, akuza përpiqet të mbuloj objektin e goditjes që në rreshtat e tjerë zbulojnë gjithë kontekstin e gjykimit. Akuza qartësisht godet thelbin, qëllimin, instrumentet, format e organizimit  dhe arritjet e luftës. Naivitet apo padituri djallëzore. Çfarë mbetet më tej… gjithçka kthehet në një pamflet politik. Edhe në Beograd edhe në Hagë e dinë se çfarë mund të jetë një ushtri pa linjë komandimi? – Turmë e armatosur është pak, lëvizje kaotike…një qellim për tu kthyer aty ku nisi… pas kësaj Beogradi ka të gjithë të drejtën ta konsiderojë luftën e vet të drejtuar kundër kriminelëve, banditëve dhe emrave të tjera që do ti dhuronte gjykata. Është tërësisht një ide djallëzore për të deformuar karakterin çlirimtar, të drejtë e human  të luftës çlirimtare të UÇK dhe aspak  një luftë e brendshme politike, civile, vëllavrasëse dhe mbi baza të urrejtjes. Këtë e gjen në aktakuzë, ku në mjaft raste nuk kujdesen as për ta mbuluar…

Çfarë nuk dëshiron të shoh akuza…?   Pavarësisht ku përpiqet të notojë akuza, interesante mbetet që gjykimi i UÇK është në rastet e rralla të historisë botërore ku gjykohet çlirimtari, ai që mbron popullin nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhe më tragji-komike një UÇK e vendosur që në ditën e parë në një linjë me aleatët perëndimorë. Të gjithë e dinë se kush qëndronte pranë këtij formacioni dhe reagimi për çdo vendim e veprim të komandantëve të saj.

Serbia përdor me shumë sukses strategjinë e kompensimit,  që ka për objektiv  diskreditimin e shtetit të Kosovës dhe paraqitjen e tij si shtet i dështuar, i drejtuar nga persona të inkriminuar.  Makineria e propagandës e Serbisë është e ‘shkëlqyer’ për shpifje dhe intriga. Ishte kjo strategji dhe pjesë e saj propaganda agresive  që e nxori shumë shpejt Serbinë  nga pozicioni i  fajit dhe agresorit në atë  të viktimës. Por, ndërsa  Serbia ka një strategji të qartë, gjithmonë e ka pasur, Kosova,  por jo vetëm, gjithë shqiptarët  e kanë vështirë ti përgjigjen me strategji efektive. Alvin Toffler thotë që  strategjia është mënyra që të dallon nga të tjerët dhe në mungesë të saj me apo pa dashje,  do të jesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër, ndoshta edhe kundërshtarit.

Është një  periudhë, që  tregon se ‘kohët e arta’ për shqiptarët kanë kaluar dhe sinjalet janë për një gjeopolitikë të vështirë. Lufta si vazhdim i politikës ndryshon mjetet, por jo aq qëllimet dhe objektivat. Ndërsa shtetet e mëdha e kanë të vështirë të dështojnë  të vegjlit e kanë më të vështirë të mbijetojnë. Fuqia e butë, dhe fuqia e fortë,  shprehet Joseph Ney, themelues i teorisë neoliberale,   raportet me partnerët strategjikë  nën kontekstin e veprimeve të sinkronizuara, mbeten edhe për shqiptarët e vetmja rrugë e mbijetesës dhe suksesit. Lavdi UÇK!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?