Pas presidentit të Kosovës Hashim Thaci dhe kreut të PDK, Kadri Veseli, ka qenë radha e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala për t'u thirrur nga Gjykata Speciale në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Njoftimin e ka dhënë vetë ai përmes një postimi në, Facebook, i cili ka theksuar se do të merret në pyetje më 8 shtator.
“Tendencat për njollosjen e luftës dhe vlerat e UÇK-së janë të papranueshme. Sidoqoftë unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, sepse e njoh mirë luftën tonë dhe arsyen e saj”, ka deklaruar ai.
Menjëherë ka reaguar edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili e ka quajtur një sfidë për të dhe ka shprehur besimin se do ta kalojë me sukses atë.
Të hënën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’ua zgjasin mandatin Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si dhe rruga e pastrimit të njolla të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UCK-në, nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri publike një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.