Hagë, Komisioni i Prokurimit Publik me sistemin e-ankesa, ndër 15 projektet më të mira në nivel botëror në Samitin Govtech

5 Nëntor 2022, 13:59| Përditesimi: 5 Nëntor 2022, 14:03

  • Share

Sistemi i E-Ankesave u përzgjodh ndër 15 projektet më të mira në nivel botëror nga juria e samitit të GOVTECH, që u mbajt në Hagë më 01 nëntor 2022, duke e vendosur kështu Shqipërinë në hartën e iniciativës globale, me një mision të qartë “Përsosmërinë në mbështetjen e inovacionit GovTech”.

Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë, z. Jonaid Myzyri, ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët të prokurimit të NVM-ve, të organizuar nga Public dhe MasterCard, në të cilën morën pjesë ekspertë globalë, të cilët ndanë dhe diskutuan idetë dhe perspektivat e tyre.

Z. Myzyri në fjalën e tij, gjatë prezantimit të sistemit elektronik të E-ankesave, u shpreh qartë mbi vështirësitë e lëna pas me sistemin e vjetër të ankimimit, si dhe për risitë që ka sjellë ky sistemi i ri, i cili në vetvete është gjithashtu një risi në fushën e prokurimit publik.

“Nga tetori i vitit të kaluar, të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj, kanë mundësinë të dorëzojnë elektronikisht ankesat dhe argumentet e tyre si dy shërbime të veçuara në platformën unike qeveritare E-Albania, duke zeruar kostot ekstra dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me çdo zyrë shteti, përfshirë dhe vetë Komisionin e Prokurimit Publik.

Sistemi mundëson edhe nënshkrimin elektronik, duke shmangur nevojën e printimit të dokumenteve voluminoze dhe nënshkrimit të akteve, veprimtari e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejte në mbrojtjen e mjedisit.

Reforma e digjitalizimit është shoqëruar edhe me krijimin e të parit mekanizëm të menaxhimit të çështjeve quasi gjyqësore, një sistem i brendshëm i menaxhimit të ankesave që mundëson ndjekjen në kohë reale si nga vetë Komisioni i Prokurimit Publik, ashtu edhe nga operatorët ekonomikë të statusit të shqyrtimit të cdo ankese. Ky sistem ka përkthyer në detyra digjitale, cdo detyrë të parashikuar nga ligji, duke rritur llogaridhënien e të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e prokurimit.

Sistemi shoqërohet me një faqe të re zyrtare të Komisionit të Prokurimit Publik, e cila mundëson aksesueshmëri të plotë të vendimmarrjes në tri regjistra publikë. Çdo subjekt i interesuar, jo vetëm që disponon informacion të plotë në lidhje me të gjithë veprimtarinë, por ka mundësi, që përmes motorëve të kërkimit të Smart Search, të kërkojë pa humbur kohë informacionin e nevojshëm.

Vizioni ynë ishte i qartë që në pikënisjen e tij. KPP-ja duhet të ofrojë informacion në kohë reale për të gjithë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në shikim: verbëri, verbëri ngjyrash, rezolucion të ulët në shikim. Një motor i posaçëm aksesimi është implementuar në faqen tonë zyrtare, shërbim i ofruar për herë të parë nga një institucion publik në Shqipëri.

Thjeshtimi i këtyre proceseve është vetëm një pjesë e procesit të gjatë dhe barrierave që mund ta bëjnë prokurimin sfidues për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Falenderoj AKSH-in, Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme, pa të cilët ngritja dhe zbatimi i sistemit elektronik të E-ankesave nuk do të ishte i mundur!” – përfundoi z. Myzyri fjalën e tij.

Në këtë Samit morën pjesë 2500 pjesëmarrës nga e gjithë bota. Ishte një ditë e mbushur me entuziazëm, si dhe një sërë diskutimesh me politikëbërës globalë, themelues, investitorë dhe drejtuesë digjitalë nga më shumë se 40-të vende.

Qeveritë po angazhohen për transformimin digjital, teknologjia po depërton në sektorin publik, dhe ne po përballemi me kriza të cilat kërkojnë zgjidhje inovative. Ne e dimë potencialin e madh, që ka teknologjia për t’i adresuar këto sfida, ato që kemi të nevojshme tani, janë diskutimet e hapura, se si mund të zbatojmë teknologjinë në mënyrë të barabartë, në mënyrë efikase dhe etike, për ta bërë atë të funksionojë për të gjithë.

Samiti i Govtech është ngjarja kryesore në botë për inovacionin e sektorit publik.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?