Ka përfunduar intervistimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, megjithatë nuk janë dhënë detaje në lidhje me deklaratat e tij. Çeku, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë këtij muaji njoftoi se ishte ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për ty pyetur në cilësinë e të dyshuarit.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, me seli në Hagë merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, para gjykatës së Dhomave të Specializuara do të dalë për herë të parë ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, i pari i akuzuar zyrtarisht për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.