Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mori pjesë në edicionin e 14-të të Konventës së Shefave të Policisë Evropiane (EPCC), mbajtur në selinë qendrore të Europolit në Hagë, Holandë.
Eventi mblodhi së bashku mbi 400 shefa policie dhe zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit nga 53 vende dhe 13 organizata ndërkombëtare, për të diskutuar sfidat më të mprehta të sigurisë me të cilat përballet sot Evropa.
Fokusi i këtij edicioni të EPCC-së ishte i përqendruar në dy kërcënime emergjente:
Pastrimi i parave përmes kriptovalutave.
Rekrutimi i të miturve përmes hapësirave online.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për:
Shtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, për të gjurmuar dhe sekuestruar asetet kriminale përtej kufijve;
Përdorimin e mjeteve të specializuara për analizën e kriptovalutave dhe teknologjive blockchain;
Rritjen e investimeve në trajnim për hetuesit digjitalë;
Trajtimin e pastrimit të parave si vepër penale më vete, për të përshpejtuar ndjekjet penale;
Forcimin e partneriteteve publik-privat, për një ndarje më efektive të informacionit;
Zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese për mbrojtjen e të miturve online, përfshirë bashkëpunimin me shkollat dhe ofrimin e udhëzimeve etike në hapësirat digjitale;
Vendosjen e detyrimeve rregullatore për platformat sociale, për të parandaluar përmbajtje të dëmshme dhe për të garantuar bashkëpunim me autoritetet kur është e nevojshme;
Zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, të mbështetur nga inteligjenca artificiale dhe shkenca e të dhënave, për identifikimin më të shpejtë të rrjeteve kriminale.
Në panelin tematik “Ndiqni Paranë”, ekspertët diskutuan mënyrat se si krimi i organizuar, krimi kibernetik dhe financimi i terrorizmit po përfitojnë nga shërbimet financiare digjitale, përfshirë IBAN-et virtuale, platformat e decentralizuara të financave (DeFi), asetet kripto dhe teknologjitë fintech.
Edicioni i 14-të i EPCC ofroi edhe njëherë një platformë të rëndësishme për bashkëpunim strategjik, shkëmbim informacioni dhe koordinim të përbashkët në përballje me sfidat e reja të sigurisë që përfshijnë të gjithë hapësirën evropiane.
Komente
