Rudina Hajdari është vetëlarguar si kryetare në Komisionin e Integrimit dhe i propozon Kuvendit që në vend të saj të emërohet Halit Valteri. Përmes një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, që mban datën e 26 shkurtit 2020, Rudina Hajdari, kryetarja e grupit parlamentar 'Demokrat' kërkon ndryshime edhe në 'Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik' dhe në 'Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese'.
Konkretisht në letër kërkohet shkarkimi i Fationa Dhimitrit nga drejtimi i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe në vend të saj të emërohet deputeti Halil Jakimi.
Gjithashtu me lëvizjen e Halit Valterit i propozuar si kryetar i Komisionit të integrimit, vendin e tij të nënkryetarit në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese ta zërë deputeti Arlind Cacani.
Hajdari aktualisht është edhe bashkëkryetare e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe kërkesat kryesore që artikulohen me forcë nga ajo janë ndryshimi i sistemit elektoral dhe aplikimi i rekomandimeve të OSBE /ODIHR-it në Kodin Zgjedhor. Puna që pritet të bëhet është kolosale pasi dhe afati kohor i përfundimit të reformës është 15 marsi, çka mund të ketë 'detyruar' Hajdarin të fokusohet më tepër. Megjithatë nuk përjashtohet edhe fakti që këto rotacione të vijnë dhe pas përplasjeve që Hajdari pati para disa kohësh me disa anëtarë të grupit të saj, të cilët kërkuan shkarkimin e saj si kryetare.
Aktualisht tryeza politike për reformën zgjedhore ka diskutuar draftin e PD-së për financimin e partive politike ku hiqet dorë nga financimi 100% nga shteti i partive duke propozuar sistemin miks, por kërkon një reduktim drastik të financimit privat dhe rritje e atij publik. Rudina Hajdari tha se është vendosur që në datë 6 mars në takimin e radhës të diskutohet për ndryshimin e sistemit zgjedhor duke vënë në pikëpyetje nëse 12 ditët e mbetura do të mjaftojnë për të përmbyllur reformën. Sipas Damian Gjiknurit qëllimi është që të arrihet në një marrëveshje në parim, pastaj ndryshimet mund të votohen edhe në prill.
AMAN mos ik rudine ,,,na fike fare...
Përgjigju