TIRANË- Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari kërkon mbledhjen e Këshillit Politik nesër në orën 12:00. Ky vendim i Rudina Hajdarit vjen pas propozimeve të PD për hapjen e listave të dërguara në Këshillin Politik.
Sipas saj, drafti i opozitës jashtëparlamentare i shkon përkrah atij të opozitës jashtëparlamentare, ku kërkohet hapja 100% e listave, e për pasojë politika duhet të mblidhet që t'i miratojë me konsensus. . Por PD përvec listave të hapura dhe mbajtjen e koalicioneve parazgjedhore kërkon dhe një ekspertizë nga OSBE-ODHIR, gjë për të cilën Rudina Hajdari ende nuk është shprehur.
"Të nderuar anëtarë të Këshillit Politik. Me kënaqësi konstatova se Partia Demokratike ka dorëzuar pranë Këshillit Politik një draft propozim për amendamentet e Kodit Zgjedhor, propozim ky i cili shkon përkrah atij të opozitës parlamentare e që synon hapjen reale të listave 100% duke ia mundësuar qytetarit e jo më kryetarit përzgjedhjen e deputetëve në Parlamentin e ardhshëm.
Duke qenë se tashmë të gjitha palët i kanë depozituar propozimet e tyre lidhur me këtë çështje, propozoj të takohemi nesër në orën 12:00 për të diskutuar dhe mundësisht dakordësuar rreth kësaj çështjeje. Sytë e shqiptarëve janë nga përfaqësuesit e tyre politikë dhe ata sot kërkojnë një reformë zgjedhore e cila pikë së pari të rikthejë sovranitetin te populli nëpërmjet mekanizmit të hapjes së listave. Le të bëhemi bashkë dhe ta përfaqësojmë këtë vullnet qytetar, duke e miratuar me konsensus hapjen reale të listave për zgjedhjet e ardhshme.
Duke uruar në një përgjigje pozitive, Me respekt, Rudina Hajdari", shkruan Hajdari.