Deputetja e opozitës në parlament, Rudina Hajdari ka uruar maturantët që sot nisën provimet e maturës. Në një postim në Facebook, Hajdari thotë se shumë prej të rinjve duan të largohen pasi i është mbushur mendja se ky vend nuk bëhet.
Deputetja shprehet e bindur se Shqipëria do të ndryshojë, prandaj duhet ‘të rrimë e të bëhemi bashkë’.
“Suksese nga zemra të gjithë maturantëve që sot nisën provimet e maturës! Jam e bindur se të gjithë ju mezi prisni t’i bëni prindërit krenarë dhe të realizoni ambiciet tuaja, për t’i hapur derën suksesit dhe të ardhmes. Dikush do bëhet mjek, dikush inxhinier, dikush jurist, dikush arkitekt, dikush studiues apo profesor. Ju uroj suksese, por çfarë uroj me shpirt për të gjithë ju është që ëndrrat t’i realizoni në Shqipërinë tonë. E di që shumë prej jush duan të largohen, e di që shumicës tuaj i është mbushur mendja se ky vend nuk bëhet e nuk ju meriton. Shumë mendojnë se këtu fiton shpesh nepotizmi e jo meritokracia, se ia del matrapazi dhe jo i ndershmi, se ngadhnjon pazari dhe jo ideali. Shumë mendojnë se jemi vend i varfër por kjo nuk është e vërtetë. Jemi thjesht të vjedhur dhe të tradhtuar nga ata që zgjedhim si menaxherë të pasurisë kombëtare. Ky realitet do vazhdojë kështu nëse ju, të dashur maturantë, do vazhdoni të ikni. Unë e kam bindje se Shqipëria do të ndryshojë. Prandaj duhet të rrimë e të bëhemi bashkë! Suksese dhe kurajo”, shkruan Hajdari.
Lajmi kryesor:
Provimi i parë, maturantët të 'armatosur' me maska e doreza brenda shkollës! Jashtë saj të grumbulluar dhe pa distancë
//ReportTv.al