Sula në Report Tv: Priten arrestime nga kampi i mazhorancës për aferat e inceneratorëve! Distancohem nga kreu i PD po u shpall 'non grata'! Hajdarmataj: Basha bën takime të fshehta

16 Shkurt 2022, 17:55| Përditesimi: 16 Shkurt 2022, 19:23

  • Share

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, deklaroi në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, se i ka thënë Lulzim Bashës që do distancohej nga ai nëse shpallet ‘non grata’. Sula bëri një deklaratë të fortë kur tha se këto ditë, priten arrestime nga kampi i mazhorancës për aferën e inceneratorëve. Ndër të tjera deputeti shprehu keqardhje për gjendjen ku ndodhet sot PD ndërsa theksoi se nuk i vjen keq as për Bashën dhe as për Berishën, por për demokratët. Sula theksoi se situata në kampin blu favorizon vetëm Edi Ramën.

“‘Shtëpia e Lirisë’ është diçka e fshehur, që s’bëhet fjalë për PD, por për LSI. Nuk e mendoja se njerëzit e PD t’i binin shtëpisë së tyre me të gjitha format për ta shkatërruar. Basha ka problemet e veta, po për inat të Bashës të shkatërrosh PD-në? Nga kjo situatë përfiton vetëm Edi Rama i cili është kthyer në sulltan. Më 6 mars shpresoj që qytetarët të jenë sa më të kthelluar. Priten arrestime në të gjitha nivelet. Edhe të djeshmen, që ka qenë në mazhorancë, ish-ministra apo ish-deputetë në qeverisjen e PD, apo edhe nga 2013-2021 e kam bindje dhe padiskutim. Do ketë një lajm të madh këto ditë, nga kampi i mazhorancës. Kam inkurajuar SPAK-un, do kohë të bëhet një dosje, edhe BKH që ka filluar punën për shumë politikanë, në 2022 dhe vitin 2023 përfundimisht, do marri fund pandëshkueshmëria e politikanëve në Shqipëri. Gjatë 30 viteve, nga i pari te i fundit, nga Nano, qeveria e parë, Ylli Bufi, apo Edi Rama, nëse këta kanë futur duart në fondet publike, do duhet të dalin para drejtësisë.”-tha Sula.

Një ditë përpara votimit të zgjatjes së afatteve të vettingut në Kuvend, Sula tha se ka marrë një telefonatë nga SHBA, por nuk përmendi emra.

"I thashë, që sa të jem gjallë, jam pro SHBA. Nëse s'do ishte SHBA, s'do ekzistonim si komb. Mos e harroni."-tha Sula.

Duke ju rikthyer përjashtimit të ish-kryeministri Sali Berisha, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Sula tha se ndjen keqardhje. Veprimet e Bashës, Sula i cilëson si personale, në dështim apo në sukses.

“Si njeri, nga pikëpamja njerëzore, Berisha ka të  drejtë për të luftuar për dinjitetin e vet. Por përdorimi i PD s’është i drejtë. Vinim nga një goditje e madhe më 25 prill. Foltorja shkundi strukturat. Do ishte momenti të vazhdonte demokratizimi i partisë. U prishën rregullat, hyri në një vorbull që arriti në këtë pikë. Si mundet, më vjen keq kur artikuloj që Berisha është non grata. S’mund të them që PD dhe Basha nuk kanë mbështetje. I kam thënë Lulzim Bashës, që edhe ti po u shpalle 'non grata' do distancohem prej teje.”-tha Sula.

Ndërsa Mimoza Hajdarmataj, mbështetëse e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe anëtare e Komisionit të Rithemelimit, deklaroi se janë të përqendruar në fushatën për zgjedhjet e 6 marsit. Teksa do garojnë nën logon e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ dhe jo nën siglën e PD, për Hajdarmatajn nuk është ndonjë çudi dhe nuk do t’i penalizojë për aq kohë sa ajo logo po mbahet peng, ndërsa quajti koalicion të fshehur Ramën dhe Bashën.

“Kandiatët tanë janë të një rëndësie të veçantë, kanë dalë nga primaret. 6 kandidatët kanë marrë votëbesimin e e anëtarësisë së PD. Përtej votëbesimit ata janë qytetarë, me integritet dhe jemi shpresëplotë për rezultate shumë të mira. Po punojmë fort që kandidatët tanë të jenë fitues. Nuk përbën asnjë problem për sa kohë logoja e PD mbahet pend dhe ka një koalicion të fshehtë Rama-Basha. Shkodra është nivel fantastik për Spahinë, kandidati i Dibrës Premtim Kryemadhi person me shumë integritet.”-tha Hajdarmataj.

Ajo theksoi edhe njëherë se Lulzim Basha po mban peng selinë blu dhe vulën e Partisë Demokratike. Ndërsa me primaret që u zhvilluan dhe statutin e ri, do marrin fund emërimet, qokat dhe portofolet tha ajo.

"Dallimi i madh është se kush e mirëpret atë që i vjen për ta pasur nesër në një pushtet vendor. Besoj se me primaret, me statutin e ri do mbarojë historia e emërimeve, qokave, portofoleve. kandiatët e 'Shtepisë së Lirisë' janë njerëzit më dinjitozë që dalin ballëhapur përpara të gjithëve."-tha Hajdarmataj.

Mbështetësja e ish-kryeministrit, theksoi se ka shumë dallime mes Bashës e Berishës sa i takon mbështetjes qytetare. Hajdarmataj deklaroi se Basha bën takime të fshehta ndërsa e quajti këtë të fundit ish-kryetar.

“Në të 6-ta bashkitë ka një dallim të madh ndjekje që i bëhet Berishës me ato takimet e fshehura të ish-kryetarit. Të dali t'i mbrojë kandidatët e tij në 6 zonat. Nëse s'ka filluar fushata, atëherë s'ka moral për të filluar fushata.”-deklaroi Hajdarmataj në Report Tv.

Për mbështetësen Hajdarmataj, Berisha po rikthen opozitën dhe po rikthen PD-në në një opozitë të vërtetë.

“Kemi një keqqeverisje që ka hyrë në mandatin e tretë. Anëtarësia mbështet ‘Foltoren’. Janë kandidatë të dalë nga primaret.”-tha Hajdarmataj.

Në seancën e fundit të Kuvendit pas diskutimeve është votuar shtyrja e afateve të vettingut. Me 118 vota pro Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për të shtyrë deri më 31 dhjetor 2024 mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut) dhe Komisionerit Publik, ndërsa kujtojmë se zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, do të mbahen në 6 bashki, atë të Shkodrës, Dibrës, Rrogozhinës, Vorës, Durrësit dhe Lushnjës.

Komento

Komente

  • Sifi: 16/02/2022 19:18

    SPAKU po heton vetem te majtet dhe gjykatat kane mbyllur dhjetra dosje te kirrupsuonit te PD .Me flagrantja dosjae CEZit ku shteti humbi 500 milion dollar . Kjo eshte drejtesia qe kerkojme?PD dhe LSI po shfrytezojne politikisht hetimet mbi zyrtaret e PS !

    Përgjigju
  • xXx: 16/02/2022 18:44

    Po ky Nori akoma harxhon oksigjen?Sa mizore eshte nena Natyre...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?