Greqi - Para masakrës me 3 viktima në Athinë, janë zbardhur nga mediat greke mesazhet që kanë shkëmbyer 2 prej shqiptarëve. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 3 korrik në Kato Patisia dhe Agioi Anargyrou.
Mesazhe plot zemërim u shkëmbyen mes Armando Lamaj, 46 vjeç dhe Andon Tefi, 48 vjeç, dy shqiptarët të cilët mbetën të vrarë, të cilët donin të zgjidhnin mosmarrëveshjet duke përdorur armët. Pak orë para se të fillonte sherri, mëngjesin e së shtunës Tefi kishte shkuar në servisin e makinave të Lamajt dhe i dërgoi mesazhin: "Të kërkoj, ku je?"
Ndërsa përgjigja që i erdhi menjëherë ishte: "Ja ku jam, nuk po fshihem. Nuk të shoh askund". Më pas Tefi e ftoi të takoheshin në mbrëmje për t'u sqaruar.
“Eja në mbrëmje aty ku thamë dhe do ta tregoj unë”, shkroi 48-vjeçari. Edhe këtë herë nuk vonoi përgjigja nga Armando Lamaj që i shkroi: “Unë do të jem aty, kujdesu që të jesh edhe ti, jo si herët e tjera kur nuk ishe askund dhe nuk u shfaqe asnjëherë”. Viktimë e përleshjes që nisi rreth orës 09:15 të mbrëmjes mbeti edhe një 23-vjeçar.
Lamaj bashkë me miq e familjarë të tij i kishin zënë pritë Tefit. Ky i fundit mbërriti në takim me një “Mercedes-Benz”, ku ndodhej bashkë me një femër, ndërsa pala tjetër mbërriti me 2 automjete dhe 1 motor. Tefi duke menduar se do kishte rënë në pritë për t’u rrahur ose vrarë, hapi zjarr i pari duke qëlluar Armando Lamajn që drejtonte një motor. Sapo nisi të shtënat, Tefi nuk kurseu të sharat ndaj Lamajt.
Pastaj qëlloi në drejtim të një prej automjeteve, duke plagosur dy persona. Një nga të plagosurit, pikërisht 23-vjecari shqiptar, tentoi të largohej, por Tefi e goditi me makinë. Në këtë moment Tefi u largua dhe drejtimin e mjetit e mori 43-vjeçarja shqiptare, e cila i hipi sipër me makinë të riut shqiptar. Pas arrestimit nga policia, në çantën e 43-vjeçares u gjet një pistoletë “Zastava”.
Pasi u largua me këmbë, Tefi, i cili dyshohet se ishte nën efektin e lëndëve narkotike, rrëmbeu nga një kalimtar një automjet tip “Toyota Yaris”, ngjyrë e zezë, dhe u drejtua për Agious Anargirous.
Aty hyri në një karburant dhe grabit disa euro, e më pas hipi në makinë dhe u drejtua në një bar në zonë, ku edhe aty grabiti 20 euro. Sapo doli nga bari, u pikas nga policia, e cila i bëri thirrje për t’u dorëzuar, por ai hapi zjarr ndaj tyre. Aty ndodhi shkëmbimi, ku u plagosën dy policët dhe u vra Andon Tefi. Pranë tij u gjet një pistoletë e llojit “CZ”.
Sipas mediave greke, nga 9 persona të tjerë që morën pjesë në masakrën në qendër të Athinës, 3 persona janë arratisur dhe 6 të tjerë janë arrestuar. 46-vjeçari Armando Lamaj, ishte arrestuar 7 herë për krime të ndryshme, nga trafiku i drogës e deri te grabitja dhe posedimi i armëve. Gjithashtu edhe Andon Tefi, ishte pjesëtar i një organizate kriminale. Gjithashtu, policia po kërkon të gjejë kokat e mëdha që komandojnë bandat shqiptare të drogës që po pushtojnë Athinën dhe së fundmi po hakmerren duke vrarë njëri-tjetrin. Andon Dhimitraq Tefi dhe Armando Lamaj, ishin arrestuar në muajin maj për trafik droge dhe dyshohet se sherri ndodhi pasi Lamaj, dyshonte se shoku i tij ishte “spiuni”, që i kishte dhënë informacione policisë.
Dhuroni dashuri o njerez qe te merrni mbrapsht dashuri,droga vret me shum menyra e ka vertetu jeta,ne fund asnja nuk ka fitu!
Përgjigju