Në Prokurorinë e Posaçme prej 22 prillit është hapur procesi i riemërimit të Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vetë Hajnaj kishte shprehur që më 28 mars interesin për një tjetër mandat 5-vjeçar. Për këtë një komision i drejtuar nga Dumani është ngritur në SPAK.
Më 31 gusht mandati i drejtores aktuale të Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundon, ndërsa sipas ligjit Aida Hajnaj ka të drejtën e riemërimit edhe për një tjetër 5-vjeçar në këtë detyrë. Vetë Hajnaj përmes një shkrese ka njoftuar Dumanin se synon riemërimin dhe ka kërkuar përbërjen e komisionit me tre anëtarë, që sipas ligjit do të verifikojë kandidaturën e saj. Dhe këtu nis një përplasje mes Hajnat dhe Prokurorisë së Posaçme.
Përgjigja e SPAK për Report Tv
Sipas kësaj përgjigje që Prokuroria e Posaçme i ka dhënë kërkesës për informacion të Report Tv, komisioni i përbërë nga drejtues Altin Dumani dhe 2 prokurorët e posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra, është ngritur më 7 prill dhe Hajnaj është njoftuar 15 ditë më vonë, më 22 prill.
Kjo ka bërë që drejtorja e BKH t’i drejtohej sërish më 11 prill, me një shkresë Dumanit, por këtë herë edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar informacionin e plotë. Vetë KLP i tha se përgjigjen e kishte marrë tashmë nga SPAK.
Megjithatë që prej 10 ditësh tashmë njoftimi është bërë i plotë edhe përmes faqes zyrtare të SPAK, dhe procesi i riemërimit ka nisur dhe Hajnaj do të duhet të dorëzojë nga fillimi të gjithë dokumentacionin dhe do t’i nënshtrohet kontrollit nëse i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe të kalojë në të gjitha fazat e testimit.
Letra e Hajnaj për KLP dhe Dumanin
Brenda 7 majit Hajnaj do të duhet paraqesë dokumentacionin e nevojshëm që garanton se ajo i plotëson kushtet formale, që lidhen me studimet, eksperiencën e punës, integritetin profesional dhe personal, marrëdhënien me ligjin, marrëdhënien me të kaluarën etj
Vetëm pas 7 majit, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra do vijojnë me vlerësimin që kalon në 7 faza; Shqyrtimin e aplikimit; Testi i arsyetimit logjik; Kontrolli mjekësor; Testi fizik; Ese me shkrim; Intervistë dhe në fund verifikimi figure, deklarimi i aseteve dhe testi i poligrafit.
Nëse Komisioni do të konkludojë se Aida Hajnaj i kalon kushtet për një mandat të dytë emrin e saj ia rekomandon Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërimin përfundimtar me shumicë votash. Nëse Dumani dhe 2 kolegët e tij nuk do ta vlerësojnë se Hajnaj e meriton një tjetër 5-vjeçar në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit atëherë procesi do të rinisë nga fillimi, këtë herë me thirrjen për të aplikuar kandidatë të tjerë.
Aida Veizaj (Hajnaj) filloi punën në krye të BKH më 1 shtator 2020. Para emërimit ajo mbante për gati 2 vite pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Komente
