Kronikë

Hakerët iranianë sulmuan faqen online të Bashkisë Tiranë, AKSK: Po punohet për rikthimin! Kufizuam përhapjen në sistemet e tjera të ndërlidhura

20 Qershor, 19:25| Përditesimi: 20 Qershor, 19:56

  • Share

TIRANË-Faqja e bashkisë së Tiranës, u sulmua dhe doli jashtë funksionit sot nga rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice”, ndërsa lidhur me këtë ka ardhur një reagim nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Sipas autoritetit, sulmi kibernetik u izolua dhe se po punohet për rikthimin në funksion të sistemeve. AKSK bënë me dije se është kufizuar përhapja në sistemet e tjera të ndërlidhura.

'Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë. Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki. Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të:

 Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit; Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura; Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura; Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse', thuhet në reagim.

AKSK njofton se aktualisht punonjësit e saj janë në terren, duke punuar në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit dhe AKSHI-n.

Autoriteti dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit në Shqipëri.

'Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malëare-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë', thuhet në reagim.

Rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice” pranoi se fshihet pas sulmit në një postim në aplikacionin “Telegram”, duke e lidhur me mbështetjen që qeveria shqiptare i jep muxhahedinëve, organizatës që lufton regjimin laiko-autoritar të Teheranit dhe që është strehuar prej vitit 2013 në selinë e saj në Manzë të Durrësit. Për shkak të këtij sulmi në faqen e Bashkisë së Tiranës u pezullua shërbimi i regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe, një proces që duhej të përfundonte më 22 qershor.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?