Përplasje mes Tifozave Kuq e Zi të Kombëtares dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithçka vjen në prag të dy ndeshjeve që Shqipëria luan për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ato kundër Anglisë në Londër më 21 mars dhe kundër Andorrës më 24 mars në Tiranë.
FSHF ka vendosur që të gjitha biletat e rezervuara t'i nxjerrë në shitje online, duke përfshirë edhe ato të përcaktuara për "lojtarin e 12-të", Tifozat Kuq e Zi që kanë një vend të caktuar në stadium.
Për gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv foli edhe Mirjan Aliaj, anëtari i TKZ. Ai tha se kjo situatë ka ardhur pasi grupimi kundërshtoi bashkorganizimin e Euro 2027 mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Aliaj sqaron se në 'Wembley' të Londrës dhe në Tiranë për Andorrës TKZ nuk do ketë organizim, pasi biletat për sektorin e tyre janë në shitje dhe FSHF "i ka prerë në besë".
"Marrëdhëniet TKZ dhe FSHF - Ne e kemi mbështetur prej dekadash Kombëtaren dhe kemi pasur një bashkëpunim me FSHF-në për sektorët dhe stadiumin. Pasi ne kundërshtuam bashkorganizimin e Euro 2027 mes Shqipërisë dhe Serbisë, në një takim na kanë thënë "shiko, mos na kundërshtoni për këtë", pasi nuk duhet ta bëni. Kjo gjë bie ndesh për ne dhe është e panegociueshme, këtu ishte pika e thyerjes. Tanimë nuk na japin bileta dhe na kanë shpallur një lloj "lufte".
Biletat në Wembley dhe me Andorrën? Kemi pasur kontakte me FSHF-në, na kanë thënë do pajisemi dhe më pas biletat dolën online. Na kanë 'prerë në besë' sepse nuk na dhanë bileta. Nuk na njoftuan, edhe sektori ynë ka qenë në shitje, këtu e kemi marrë përgjigjen. Anëtarët e TKZ nuk do jenë të organizuar në Wembley, sepse nuk kemi bileta. Për momentin nuk jemi, vetëm ata që i kanë siguruar në mënyrë individuale.
Bojkot? Nuk them dot asgjë, sepse nuk kemi një vendim. Biletat me Andorrës nuk janë shitur dhe kjo është hipokrizia e FSHF-së. Ne e mbështesim ekipin në çdo ndeshje, qoftë me ekip të fortë apo të dobët. FSHF ka interesa ekonomike dhe nuk vepron me ideale siç veprojmë ne.
Pse jeni kundër Europianit 2027 me Serbinë? Sporti është sport, arti art. Unë si Mirjan nuk mund ta ndaj nga historia. Pse ky ngut për Europianin me Serbinë, pse nuk e bëmë me Kosovën? Kosova ka marrë përsipër Lojërat Mesdhetare dhe po krijojnë një infrastrukturë. Mund ta bënim me Kosovën dhe një tjetër shtet, pse me Serbinë?! Është FSHF që përzjen sportin me politikën.
Apeli i TKZ? FSHF-së i themi të jenë seriozë. Ato që thonë duhet t'i zbatojnë, nuk kanë sjellje institucionale. Janë në kohë të tërhiqen nga Euro 2027 me Serbinë, sporti duhet të ecë para në mënyra të tjera. E treta, ideali na ka dërguar para. Kemi 21 vite si TKZ dhe do ia dalim, nuk kemi qëllime as politike dhe ekonomike. Ne kemi idealin e patriotëve. Të gjithë jemi të përkohshëm, Shqipëria mbetet.
Në grup me Serbinë, në qershor në Tiranë? Dëshira është të jemi të parët në grup, të kalojmë edhe Anglinë. Serbinë nuk e llogarisim në çdo aspekt. Do 'e presim sa më mirë', siç e meritojnë", tha anëtari i Tifozave Kuq e Zi për Report Tv.
Komente
