'Halili nuk mund të luante pse ishte djali i presidentit', Egbo: Dede të fusë lojtarët që e meritojnë, Vllaznia si Tirana e vjetshme

12 Janar 2021, 12:08| Përditesimi: 12 Janar 2021, 15:09

  • Share

Emanuel Egbo, ish-trajneri që shpalli Tiranën kampion, i është përgjigjur akuzave të Grent Halilit, futbollistit aktual të bardhebluve, i cili është shprehur se nigeriani nuk i ka dhënë minutat e merituara. Sipas Halilit, Egbo i ka ngrënë hakun, ndërsa për ‘Report Tv’, ish-trajneri i 25 herë kampionëve të Shqipërisë përgjigjet:

“Gjëja e parë që duhet të mendojë një njeri kur del për të folur duhet të pyesë veten: a ka arritur ky trajner dhe staf të dalë kampion?! Unë e kam parë Grent Halilin si lojtar ekipi dhe jo si djalin e presidentit sepse ky jam unë. Nëqoftëse unë i kam hyrë njeriu në hak, sepse jam besimtar në zot, ai ekip nuk do të kishte dalë kampion.”

Pavarësisht pretendimit të trajnerit aktual të Tiranës, Nevil Dede, se ekipi nuk është i plotësuar dhe ndaj nuk po merr rezultate pozitive, Egbo mendon ndryshe. Ish-numri 1 i pankinës së bardhebluve mendon se në formacion nuk po luajnë lojtarët që e meritojnë.

“Unë e kam nisur sezonin me atë ekip dhe kam shumë vlerësim për futbollistët. Kam thënë shpesh se ka lojtarë të mirë brenda ekipit, por varet si e përdor, çfarë sistemi përdor dhe si i jep lojtarit mundësinë për të shprehur veten. Duhet ta vendosësh në pozicion natyral dhe mbi të gjitha duhet të vendosësh me sinqeritet e drejtësi kush e meriton për të qenë në fushë pasi kjo është shumë e rëndësishme.”

Në fund Egbo thotë se Vllaznia është pretendeti kryesor për të fituar Superligën, pasi po bën të njëjtën gjë që Tirana bëri sezonin e kaluar, duke mbajtur grupin të bashkuar. Por pavarësisht kësaj ish-portieri ka rezerva të mëdha për këtë edicion të Superligës.

“Ky kampionat është më i dobti nga të gjitha sezonet që kam qenë në Shqipëri, sepse ka shumë luhatje. Ti fiton një ndeshje sot dhe shkon në vendin e dytë, ndërsa nëse humbet, shkon në vendin e shtatë. Ka vetëm tre pikë diferencë nga vendi i dytë në të shtatë.”

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?