“Hallet e vjetra” bashkojnë të majtë e të djathtë, kryebashkiakët: Plehrat e ujëra të zeza ‘sfidë’ për turizmin

25 Shtator, 15:57| Përditesimi: 25 Shtator, 16:10

  • Share

Vetëm ‘nami i mirë’ për bregdetin e natyrën e Shqipërisë nuk mjafton për të ruajtur rekordin turistik.  ‘Hallet e vjetra’ bënë bashkë disa kryebashkiakë të vendit, të majtë e të djathtë, me synim menaxhimin e mbetjeve dhe të ujërave të zeza.

“Është shumë e rëndësishme që qeveria të ndërhyjë për ujërat e zeza sepse aty nis e mbaron sezoni turistik. Nëse kemi ujëra të zeza atje, kot bëjmë zbukurime e kot flasim”, tha Fisnik Qosja kryetar i Bashkisë Kavajë.

Kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja tha se përballë turistëve të shumtë, sfidat janë rritur dhe për t’iu përgjigjur atyre ka edhe mbështetjen e qeverisë.

“Sfida e turizmit për bashkinë e Kavajës është e shumë e madhe. Në Kavajë pushojnë 550 mijë turistë. Kemi shumë zona që nuk janë prekur si plazhi i Gjeneralit, i Karpenit, plazhi i Carinës, i Forsilukut që duan një zhvillim dhe seriozitet më të madh në anën infrastrukturore dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Kjo është sfida, unë kam folur edhe me kryeministrin, dhe është i gatshëm që të ndërhyjë”, tha Qosja.

Kurse bashkia e Lezhës po bën gati një tjetër projekt për menaxhimin e mbetjeve në bashkëpunim me GIZ, por Pjerin Ndreu nuk dha detaje.

“Nëse do të realizohet do të jetë i pari projekt në Shqipëri që do të aplikohet dhe atëherë do të jetë një histori tjetër në menaxhimin e mbetjeve që do të shkojë sipas skemës së Gjermanisë apo shteteve tjera të zhvilluara”, tha kryetari i Bashkisë Lezhë.

Pagat e punonjësve të pakualifikuar që punojnë për pushtetin vendor nuk u rritën, duke vështirësuar gjetjen e krahut të punës. Këtë shqetësim e ndau në takim kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi.

“Duhet të kishte një rritje pagash për punonjësit e mirëmbajtjes dhe pastrimit. Kjo nuk ndodhi, dhe pastaj has vështirësi në burimet njerëzore”, tha Mëlyshi.

Përtej sfidave disa bashki të vendit po përjetojnë ditë të mira në aspektin ekonomik. Bashkia e Kavajës ka dalë nga vështirësia financiare tha Qosja.

“Kemi rritur të ardhurat me 50%, kemi marrë goxha taksa nga operatorët turistik, por theksi më i madh është tek taksa e ndikimit në infrastrukturë. Ka një bum ndërtimesh prej turizmit”, tha Fisnik Qosja kryetar i Bashkisë Kavajë.

Kurse Shijaku po përmbyll legalizimin e çdo banese.

“Kemi trokitur në çdo derë dhe na kanë dalë 2065 dosje, i kemi plotësuar siç duhet për të pasur një certifikate pronësie, dhe të gjitha dosjet i kemi dërguar në mënyrë zyrtare në ASHK”, u shpreh Elton Arbana kryetar i Bashkisë Shijak.

‘Fuqizimi i lidershipit lokal’ ishte aktiviteti që mblodhi kryebashkiakët të majtë e të djathë, i organizuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, në bashkëpunim me Institutin për Bashkitë dhe Fondacioni Hanss Seidel Stiftung.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?