Me një komunikatë, Hamas i është përgjigjur propozimit të Shteteve të Bashkuara për një armëpushim, të paraqitur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, duke bërë të ditur se janë të gatshëm të lirojnë 10 pengje të gjalla dhe trupat e 18 të tjerëve në këmbim të lirimit nga Izraeli të disa të burgosurve palestinezë. Kanali egjiptian Al-Rad – i cituar nga mediat izraelite – raporton se Hamas i është përgjigjur propozimit të dërguarit amerikan me një skemë alternative në lidhje me kohën e lirimit të pengjeve.
Por përgjigjja prish edhe një herë negociatat me Witkoff, i cili menjëherë pas kësaj komenton: "Është krejtësisht e papranueshme dhe vetëm na kthen prapa. Hamasi duhet ta pranojë propozimin kornizë që kemi paraqitur si bazë për bisedime të afërta, të cilat mund t'i fillojmë menjëherë javën tjetër.", shkroi i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme në X.
Qeveria izraelite e konsideron këtë përgjigje “si një refuzim efektiv”, sipas asaj që ka deklaruar një zyrtar izraelit për gazetarët, shkruan Times of Israel. Po sipas këtij burimi, edhe pse Hamas ka njoftuar se i është përgjigjur Witkoff, ndërmjetësit janë ende duke punuar për të zbutur disa nga ndryshimet e kërkuara.
Në veçanti, fraksioni palestinez dëshiron që kthimi i pengjeve në Izrael të ndodhë në pesë faza, në vend të dy fazave gjatë javës së parë të armëpushimit. Hamas, sipas kësaj rindërtese, kërkon të lirojë katër pengje të gjalla ditën e parë të armëpushimit 60-ditor, dy pengje të tjera të gjalla ditën e 30-të, dhe katër të tjerë në ditën e fundit të marrëveshjes. Ndërsa trupat e të vrarëve të dorëzohen në ditën e 30-të dhe të 50-të.
Këto kërkesa kanë për qëllim të vështirësojnë rifillimin e luftimeve nga Izraeli nëse bisedimet për një armëpushim të përhershëm nuk përfundojnë pas përfundimit të 60 ditëve të qetësisë. Këtë e ka raportuar për Times of Israel një burim i përfshirë drejtpërdrejt në negociata, duke konfirmuar se Hamas ka propozuar që lirimi i dhjetë pengjeve të gjalla të bëhet në faza të ndryshme gjatë 60 ditëve, në vend të dy fazave të parashikuara në propozimin amerikan – ditën e parë dhe të shtatë të marrëveshjes.
Ky ndryshim ka për qëllim të pengojë, sipas të njëjtit burim, që kryeministri Benjamin Netanyahu të braktisë bisedimet për një armëpushim të përhershëm menjëherë pas lirimit të 10 pengjeve, ose të refuzojë të marrë pjesë fare në to.
Kaos me ndihmat humanitare në Rripin e Gazës
Ndërkohë vazhdon drama humanitare në Rripin e Gazës. Më shumë se njëqind kamionë të Programit Botëror të Ushqimit (Pam), të ngarkuar me miell, janë plaçkitur në Khan Younis, në jug të Gazës, njofton faqja izraelite Ynet.
Dhjetëra banorë të Gazës kanë sulmuar "110 kamionë", një ditë para shpërndarjes së planifikuar të ndihmave. Mediat palestineze kanë shpërndarë video të sulmit ku dëgjohen edhe të shtëna armësh.
Një zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) deklaroi dje se “Gaza është vendi më i uritur në botë”, ku “100% e popullsisë është në rrezik urie”.
Izraeli, nën presionin ndërkombëtar, ka filluar javën e kaluar të lejojë futjen e disa ndihmave humanitare në Gaza, pas një bllokade totale që nga 2 marsi, e cila kishte ndalur hyrjen e ushqimeve, barnave, karburantit dhe mallrave të tjera.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Gazës e kontrolluar nga Hamasi deklaron se 60 palestinezë janë vrarë dhe 284 janë plagosur në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës. Bilanci total që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 ka arritur në 54.381 viktima dhe 124.054 të plagosur, thuhet më tej në një njoftim të publikuar në Telegram./La Repubblica
Komente
