“Po planit të Trump për paqe, i lirojmë të gjithë pengjet e gjallë e të vdekur, por duhen sqarime të mëtejshme”.
Kështu shkruan Hamas në Telegram, në arabisht, duke u shprehur i gatshëm ta pranojë planin me 20 pika të propozuar nga presidenti amerikan, duke kërkuar negociata shtesë për të diskutuar hollësitë.
Teksti i mesazhit të Hamas në Telegram:
“Në emër të Zotit, më të mëshirshmit, mëshirëplotit, deklaratë e rëndësishme mbi përgjigjen e Hamas ndaj propozimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në përpjekje për të ndalur agresionin dhe luftën shfarosëse kundër popullit tonë të qëndrueshëm në Rripin e Gazës, dhe duke u bazuar mbi përgjegjësinë kombëtare dhe kujdesin për parimet, të drejtat dhe interesat madhore të popullit tonë, Lëvizja e Rezistencës Islame ‘Hamas’ ka zhvilluar konsultime të thelluara brenda institucioneve të saj drejtuese, konsultime të gjera me forcat dhe fraksionet palestineze, si dhe konsultime me vëllezërit dhe miqtë tanë ndërmjetësues, për të arritur një qëndrim të përgjegjshëm përballë planit të presidentit amerikan Donald Trump.
Pas një studimi të plotë, lëvizja ka marrë vendimin e saj dhe ka dorëzuar përgjigjen e mëposhtme te vëllezërit ndërmjetësues.
Lëvizja e Rezistencës Islame, Hamas, vlerëson përpjekjet arabe, islame dhe ndërkombëtare, si edhe përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump, që kërkojnë ndalimin e luftës në Rripin e Gazës, shkëmbimin e të burgosurve, hyrjen e menjëhershme të ndihmave, refuzimin e okupimit të Rripit dhe zhvendosjen e popullit tonë palestinez prej tij.Në këtë kuadër, dhe me qëllim arritjen e një armëpushimi dhe një tërheqjeje të plotë nga Rripi i Gazës, lëvizja shpall pranimin e saj për lirimin e të gjithë të burgosurve izraelitë, të gjallë e të vdekur, në përputhje me formulën e shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump, me kusht që të plotësohen rrethanat e nevojshme në terren për këtë shkëmbim.
Në këtë kuadër, lëvizja shpreh gatishmërinë e saj për të nisur menjëherë negociata përmes ndërmjetësuesve për të diskutuar hollësitë e këtij procesi.Lëvizja riafirmon gjithashtu pranimin e saj që administrimi i Rripit të Gazës t’i besohet një organi palestinez të teknokratëve të pavarur, mbi bazën e konsensusit kombëtar palestinez dhe mbështetjes arabe e islame.
Çështjet e tjera të përfshira në propozimin e presidentit Trump, që lidhen me të ardhmen e Rripit të Gazës dhe të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez, janë të lidhura me një qëndrim kombëtar gjithëpërfshirës dhe të bazuara në ligjet e rezolutat ndërkombëtare përkatëse. Ato do të diskutohen brenda një kuadri kombëtar palestinez gjithëpërfshirës, pjesë e të cilit do të jetë edhe Hamas, duke kontribuar me përgjegjësi.”
Lajmi kryesor:
Hamas: Po planit të Trump, i lirojmë të gjithë pengjet e gjallë e të vdekur, por nevojiten negociata të mëtejshme
K.M/ReportTv.al