Hamas ka njoftuar se të enjten do të dorëzojë trupat e pajetë të katër pengjeve izraelite, si pjesë e fazës së parë të armëpushimit në Gaza.
"Mes tyre do të jenë edhe trupat e familjes Bibas", thuhet në deklaratë.
Shiri, 32 vjeçe, dhe dy djemtë e saj, Kfir, 4 vjeç, dhe Ariel, 9 muajsh, u rrëmbyen më 7 tetor 2023 nga shtëpia e tyre në Nir Oz.
Nga 250 pengjet e rrëmbyer atë ditë, askush nuk mbeti aq thellë në kujtesën kolektive sa dy vëllezërit me flokë të kuq dhe nëna e tyre.
Pamjet e rrëmbimit të tyre, të heshtur dhe të tronditur, në krahët e një nëne të tmerruar, bënë xhiron e botës, duke u kthyer në një nga simbolet më të fuqishme të sulmit të Hamasit.
Ato u përdorën si një pikë e fortë emocionale, por edhe si një mjet i fuqishëm i fushatës politike dhe mediatike të Izraelit për të justifikuar ofensivën e tij në Gaza.
"Ata fëmijë të pafajshëm," përsëritën shpesh mbështetësit e Izraelit në ekranet televizive anembanë botës,
"janë dëshmi e qartë se Izraeli duhet të përgjigjet me forcën më të madhe, në mënyrë që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë."
Por çfarë ndodhi me familjen Bibas pas videos së rrëmbimit, askush nuk e di. Në fund të nëntorit 2023, Hamasi njoftoi vdekjen e tyre, por pa dhënë prova. Izraeli e quajti këtë një "propagandë mizore", por nuk pati as konfirmim dhe as përgënjeshtrim.
Megjithatë, fëmijët nuk u liruan gjatë armëpushimit të parë, duke mbetur të vetmit të mitur ende në Gaza. Më pas u publikua një video e babait duke qarë dhe duke kërkuar që trupat e tyre të ktheheshin në Izrael.
Javë pas jave, pesimizmi në Izrael rritej, por askush nuk fliste hapur. Kur, në qershor, ministri Benny Gantz deklaroi në një intervistë televizive se nuk kishte shumë shpresa dhe se publiku do të informohej në kohën e duhur, familjarët e pengjeve reaguan ashpër dhe nisën një fushatë kundër tij.
"Do të luftojmë deri në fund. E dimë çfarë thuhet, por nuk do të dorëzohemi derisa të kemi siguri," tha për ne një ditë në Nir Oz, Yifat Zailer, kushërira e Shirit.
Mes lotësh, ajo shtoi diçka që është dëgjuar rrallë në Izrael gjatë këtyre muajve: "Familja ime beson në paqe. Janë vetëm fëmijë: Ariel dhe Kfir, ashtu si ata të Gazës. Asgjë nga ajo që po ndodh nuk ka kuptim."
Pavarësisht gjithçkaje, Zailer dhe të afërmit e saj nuk u ndalën. Çdo të shtunë në mbrëmje shkonin në "Sheshin e Pengjeve" në Tel Aviv, duke mbajtur tullumbace portokalli, si flokët e fëmijëve, dhe bluza me simbolin e Batmanit, të njëjtën që ata kishin veshur në foton që u bë e famshme në media. I gjithë vendi i ndoqi.
Në fund të janarit, kur u bë e qartë se Shiri dhe fëmijët e saj nuk ishin në listat e pengjeve të liruara dhe se qeveria nuk po bënte presion për ta, zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari, foli për herë të parë për një "shqetësim serioz" për fatin e tyre – një shprehje që gjithmonë ka paraprirë njoftimet zyrtare për vdekje.
Së bashku me trupat e familjes Bibas, pritet të kthehet edhe një tjetër trup. Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se nuk do të konfirmojnë identitetet pa kryer analizat e ADN-së. Të shtunën, pritet të lirohen edhe gjashtë pengje të gjalla, dy herë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht. Në këmbim, Izraeli do të lejojë hyrjen në Gaza të qindra shtëpive të parafabrikuara dhe makinerive për të pastruar rrënojat.
Komente
