Duke parë kartat e Trump dhe Netanyahut, fraksionet palestineze po përpiqen të gjejnë një përgjigje të përbashkët ndaj planit për armëpushim. Nuk do të jetë e lehtë, sepse si Hamasi, i përfshirë në luftën në Gaza, ashtu edhe Fatahu, në pushtet në Bregun Perëndimor, janë të ndarë brenda vetes. Vija është vendosur për momentin nga kryeministri i Katarit, Al Thani: plani përmbush "objektivat" kyç të përcaktuara nga ndërmjetësit, ndalimin e masakrave dhe të zhvendosjes së palestinezëve, por ka disa pika të diskutueshme për të cilat duhet negociuar, në veçanti kohëzgjatja dhe përmasat e tërheqjes izraelite nga Gaza dhe përbërja e një administrate të ardhshme palestineze.
Hamasi është i përçarë. Të papajtueshmit e refuzojnë një plan që e konsiderojnë si kapitullim dhe poshtërim, por shumica duket se janë të orientuar drejt një po-je të kushtëzuar, për të mos marrë përgjegjësinë e një dështimi që do të nënkuptonte vazhdimin e luftës, por njëkohësisht pa bërë lëshime mbi "klauzola të paqarta dhe që cënojnë të drejtat kombëtare", shpjegon për Repubblica një burim që njeh diskutimet në zhvillim. Grupi u ka dhënë mandat ndërmjetësve — Katarit, Egjiptit dhe Turqisë — të kërkojnë ndryshime në plan mbi klauzolën e çarmatosjes, duke futur një dallim mes armëve mbrojtëse dhe atyre sulmuese, si dhe me kërkesën për garanci ndërkombëtare "për një tërheqje të plotë izraelite nga Rripi i Gazës", me një afat të saktë kohor bashkë me premtime që udhëheqësit e tij të mos shënjestrohen. Pika tjetër e përplasjes lidhet me përbërjen e administratës së ardhshme të Gazës: për lëvizjen islamiste ajo nuk mund të jetë veçse palestineze. Roli shumë i nuancuar i Autoritetit Palestinez dhe paqartësia ekstreme me të cilën plani i Trump flet për një "shtetësi palestineze" të mundshme në të ardhmen po shqetësojnë gjithashtu kryeqytetet arabe dhe myslimane, të cilat kanë shprehur mbështetje për iniciativën amerikane, por e konsiderojnë thelbësore ribashkimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor dhe ofrimin e një perspektive konkrete të një shteti palestinez.
Në Ramallah, tensioni është i lartë. Presidenca e Abu Mazen është rreshtuar me ndërmjetësit arabë duke shprehur vlerësim për lëvizjet e Uashingtonit. Por brenda Fatahut, partisë trashëgimtare të Arafatit ku bën pjesë edhe Abu Mazen, ngrihen zëra të kundërshtimit radikal. Si ai i Abbas Zakit, anëtar i komitetit qendror, përfaqësues i krahut më të ashpër, i cili e ka cilësuar planin një "dokument kapitullimi", të imponuar mbi popullin palestinez. "Fatah-u është i përçarë", tregon një burim nga Ramallahu. "Mes atyre që mbështesin marrëveshjen janë Abu Mazen dhe zëvendësi i tij, Hussein Al-Sheikh", i cili konsiderohet edhe si një nga të mundshmit për pasardhës të vetë liderit. Diskutimet brenda Hamasit vazhdojnë dhe është e mundur që grupi të japë një përgjigje të parë brenda 2 ose 3 ditësh, edhe pse shefi i Shërbimit të informacionit shtetëror egjiptian, Diaa Rashwan, parashikonte që lëvizja "do ta pranojë planin, por me disa rezerva".
Ndërkohë, Sheikh al-Thani ka siguruar një marrëveshje me Uashingtonin që është e pashembullt për një vend arab. Trump e ka angazhuar SHBA-në të mbrojë emiratin në rast të një sulmi ndaj territorit ose sovranitetit të tij që konsiderohet "një kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara". Katari ishte tashmë një aleat i vlefshëm amerikan në Gjirin Persik dhe një mik i ngushtë i Trump, të cilit sheiku madje i dhuroi një Boeing privat. Doha pret bazën kryesore amerikane në Gjirin Persik, al-Udeid, dhe vepron si ndërmjetës në çështje të ndryshme ndërkombëtare. Por sulmi izraelit ndaj Dohës më 9 shtator pati efekte që Netanyahu ndoshta nuk i priste: nuk e eliminoi udhëheqjen e Hamasit jashtë vendit dhe i dha al-Thanit një marrëveshje që as Izraeli nuk e ka me SHBA-në./La Repubblica
Komente
