Shkëmbimet e mëdha të zjarrit midis militantëve palestinezë dhe ushtrisë izraelite vazhdojnë, me një breshëri raketash që u hodhën mbrëmjen e sotme në zonën e Tel Aviv. Ky sulm erdhi pas një sulmi ajror izraelit që rrëzoi një kullë në Rripin e Gazës. Ndërtesa 13-katëshe u sulmua një orë e gjysmë pasi banorët dhe njerëzit lokalë u paralajmëruan të evakuohen.
Ndërkohë Izraeli ka mbyllur aeroportin Ben Gurion dhe po ashtu edhe të gjitha shkollat që ndodhen në një distancë 100 kilometra përreth Gazës. Si pasojë e sulmeve, deri më tani të paktën 30 persona janë vrarë në Gaza dhe Izrael.
Militantët kanë qëlluar më shumë se 400 raketa drejt Izraelit që nga e hëna në mbrëmje, duke vrarë dy izraelitë dhe duke lënë të plagosur edhe dhjetëra persona të tjerë.
Izraeli thotë se goditi 150 objektiva në Gaza si përgjigje, ku për pasojë 28 palestinezë u vranë. Ushtria izraelite rriti praninë e saj përgjatë kufirit. Autoritetet u bënë thirrje banorëve lokalë që të qëndrojnë në shtëpi dhe pranë vendeve të sigurt deri në një njoftim tjetër.
Komuniteti ndërkombëtar u ka kërkuar të dy palëve t'i japin fund përshkallëzimit, i cili pason ditët e trazirave në Jeruzalem.
Grupi militant Hamas, i cili kontrollon Gaza-n, tha se po vepronte për të mbrojtur xhaminë al-Aqsa të Jeruzalemit nga "agresioni dhe terrorizmi" izraelit pasi vendi, i cili është i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, pa të hënën përplasje midis policisë izraelite dhe palestinezëve ku mbetën qindra të plagosur.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha që Hamas "kishte kaluar vijën e kuqe" duke qëlluar me raketa drejt Jeruzalemit. Pas një takimi me shefat ushtarakë të martën pasdite, Netanyahu paralajmëroi se ata kishin rënë dakord të rrisin edhe forcën edhe frekuencën e sulmeve, duke shtuar se Hamasi "do të goditet në mënyra që nuk i pret".
Ditëve të fundit, Jerusalemi ka përjetuar dhunën më të rëndë ndër vite, ku më shumë se palestinezë janë plagosur në konfrontimet me policinë izraelite jashtë xhamisë al-Aqsa të hënën.
Fillimisht kërcënimi izraelit për të zhvendosur të paktën 20 familje nga shtëpitë e tyre prej 60 vitesh nxiti përplasjet mes palëve. Përplasje që nga dita e parë e fillimit të Ramazanit, 29 ditë më parë janë tensionuar ndjeshëm orë pas ore. Një muaj më parë, policia vendosi të rrethonte sheshin para portës së Damaskut me hekura për të bërë të pamundur grumbullimin e palestinezëve atje, duke rritur ndjeshëm pakënaqësitë. Qeveria e drejtuar nga Benjamin Netanyahu është përpjekur të minimizojë tensionet duke hequr barrierat. Gjykata e Lartë gjithashtu ka shtyrë vendimin për dëbimin e mundshëm nga shtëpitë të familjeve palestineze, por sërish kjo nuk ka qetësuar situatën.
e keni pak mbrapsh titullin
Përgjigju