Blinken dhe kryeministri izraelit, Netanyahu

Hamasi tërhiqet nga negociatat dhe fajëson Netanyahun: Në këtë mënyrë nuk ka marrëveshje

19 Gusht, 08:36| Përditesimi: 19 Gusht, 08:40

  • Share

IZRAEL- Vizita e nëntë e Sekretarit të Shtetit Amerikan Blinken në Izrael brenda dhjetë muajve të fundit ka nisur me vështirësi. Mbrëmë, avioni i tij nuk kishte zbritur ende në Tel Aviv, kur Hamas lëshoi një deklaratë që tingëllon si një refuzim total i planit për armëpushim, të cilin Blinken do ta diskutojë sot në Jeruzalem me kryeministrin izraelit.

"Netanyahu po vendos kushte të reja për të sabotuar negociatat, përfshirë mbajtjen e kontrollit mbi Korridorin e Filadelfit, kalimin e Rafahut dhe Korridorin e Netzarim," thuhet në deklaratën e Hamas. "Netanyahu mban përgjegjësi të plotë për dështimin e marrëveshjes."

Sa i përket nëse kjo është një përpjekje për të ngritur peshën e diskutimeve apo një ndarje reale, kjo do të kuptohet sot dhe më shumë në ditët në vijim. Ajo që është e sigurt është se në Izrael, "optimizmi i moderuar" për të cilin kanë folur amerikanët në dy ditët e fundit nuk shihet: Asnjë pikë e rëndësishme nuk është zgjidhur në Doha. Dhe, më e rëndësishmja, bisedimet kanë injoruar atë që duan dy aktorët kryesorë, Netanyahu dhe Sinwar: i pari ka thënë qartë se nuk do të lërë Korridorin e Filadelfit. I dyti që prania izraelite në atë zonë është e papranueshme," shkruan Ronen Bergman , i cili është shumë i informuar për çështjet e sigurisë kombëtare, në Yedioth Ahronoth. Një koncept që reflektohet në deklaratën e lëshuar pasdite nga zyra e Netanyahut: "Ka gjëra për të cilat mund të jemi fleksibël, por për të tjera jo: ne insistojmë për këto."

Ndërkohë, në Rripin e Gazës, luftimet vazhdojnë: operacionet ushtarake janë intensifikuar në Deir al Balah, në qendër të zonës, dhe Khan Yunis, në jug, ku një ushtar ka humbur jetën. Ushtria izraelite njoftoi se kishte sulmuar pika nga të cilat ishin lëshuar raketa, por gjatë bombardimeve u vranë 29 persona: mes tyre, gjashtë fëmijë (katër prej të cilëve binjakë) dhe nëna e tyre. Kjo rrit numrin e viktimave të kësaj lufte dhjetë mujore në 40,099, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Një numër që po nxit presionet ndërkombëtare mbi Izraelin për të ndalur konfliktin: zëri i atyre që thonë "mjaft" do të dëgjohet edhe në Chicago, ku sot nis Konventa Demokratike.

Dhe me siguri do të dëgjohet edhe në veshët e Blinken në Jeruzalem: administrata Biden dhe kandidatja Kamala Harris javët e fundit kanë përsëritur disa herë dëshirën për të arritur një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur, por deri më tani, çdo herë që SHBA ka shprehur shpresë, është mohuar nga të interesuarit direkt: një kryeministër izraelit i vendosur të mos dorëzohet në ato që i konsideron pika themelore - "si mund ta lëmë korridorin kur vetëm javët e fundit kemi zbuluar 33 tunele?", na tha dje një burim sigurie –; dhe një lider ushtarak dhe tani edhe politik i Hamasit, Yahya Sinwar, që kërkon sigurinë e një kthese të përhershme para se të lirojë 115 pengjet (gjallë dhe të vdekur) që ai ka ende në duart e tij.

Edhe pas protestave të mëdha të së shtunës, pati iniciativa për të kërkuar kthimin e tyre në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkohë që vazhdojnë negociatat, frontet e tjera mbeten të hapura: në Bregun Perëndimor, ku një roje izraelite u vra dje nga një burrë që më pas u arratis me armën e tij. Dhe Libani, nga ku dje mbi Izrael ra një tjetër breshëri raketash. Këtu, në zonën jugore, tre ushtarë të UNIFIL-it, u plagosën në një përplasje me militantë të Hezbollahut./La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?