Lewis Hamilton po i përjeton me shumë emocione ditët e tij të para si pilot i Ferrarit. Dy shenja shumë të qarta e tregojnë një gjë të tillë.
Së pari, shtatë herë kampioni i F1 publikoi një foto të tij kur ishte fëmijë, ku dukej qartë me përkrenaren e kuqe, e cila u shfaq në rrjetet sociale pas natës së ndërrimit të viteve.
Më pas, fjalë të pakta, por shumë të qarta, të cilat tregojnë sesi britaniku afër të 40-ve, është veçanërisht i përfshirë emocionalisht në kalimin e tij në skuadrën e Maranellos.
“Kush po mendon se çfarë duhet që të bëjë në 2025 i them se duhet që të përqafojë ndryshimin. Në 2025 qëndroni të uritur dhe ecni përpara me një synim të vetëm”, ishin fjalët e para të anglezit.
Shtatë herë kampioni i botës është i vetëdijshëm për të qenë një model dhe për këtë arsye, kalimi i tij te Ferrari mund të bëhet gjithashtu një frymëzim për shumë njerëz. Kjo është ajo që ai inkurajon ndjekësit e tij.
“Nuk ka rëndësi nëse po ndryshoni sektor, po mësoni një punë të re apo thjesht po përballeni me sfida të tjera; mbani mend se rigjetja e vetvetes është diçka e fuqishme. Mundësia juaj e radhës është gjithmonë e arritshme", thotë Hamilton.