Lewis Hamilton ka rikonfirmuar besimin e tij të plotë ndaj Frederic Vasseur, drejtuesit sportiv të Ferrarit, duke e cilësuar si “njeriun e duhur” për të çuar skuadrën drejt suksesit. Deklarata e britanikut vjen në një moment të ndjeshëm, pasi e ardhmja e Vasseurit ende nuk është zyrtarisht e sigurt për sezonin e ardhshëm.
Në një intervistë për transmetuesin britanik Channel 4, Hamilton nuk i kurseu fjalët e mira për francezin.
“Fred është arsyeja pse jam këtu. Ai më solli në këtë ekip, kështu që i detyrohem shumë. Më pëlqen të punoj me të dhe dua të vazhdojmë së bashku”, tha Hamilton.
Shtatë herë kampioni i botës theksoi rëndësinë e Vasseurit në procesin e reformimit të Ferrarit.
“Mendoj se Fred është vërtet njeriu i duhur për të na çuar në majë. Po punoj sa më shumë që mundem për ta mbështetur dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme, që janë të shumta”, vijoi ai.
Hamilton foli gjithashtu për përshtypjet e tij të para brenda strukturës së Ferrarit, duke theksuar rëndësinë e një perspektive të re.
“Sapo arrin në një ekip të ri, vëren sa i shkëlqyer është organizimi dhe si është ngritur struktura. Ata që kanë ardhur së fundmi sjellin një perspektivë të freskët, krahasuar me ata që kanë qenë aty për një kohë të gjatë”, tha britaniku më pas.
Kjo nuk është hera e parë që Hamilton shpreh publikisht vlerësimin për Vasseur. Edhe para Çmimit të Madh të Kanadasë, ai kishte deklaruar se ishte pikërisht drejtuesi francez që e kishte bindur të bashkohej me Ferrarin për sezonin 2025.
Komente
