Politikë

Hangar i ri për helikopterët Black Hawk në Farkë, Rama: ‘Shtëpia’ e tyre e re është gati (VIDEO)

22 Maj, 17:12| Përditesimi: 22 Maj, 17:17

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka postuar ditën e sotme pamje nga hangari i ri në Bazën Ajrore të Farkës, i ndërtuar posaçërisht për helikopterët “Black Hawk” të Forcës Ajrore shqiptare.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë thotë se ky është një tjetër investim në funksion të rritjes së kapaciteteve të ushtrisë shqiptare dhe modernizimit të saj sipas standardeve të NATO-s.

“Helikopterët Black Hawk të Forcës sonë Ajrore do të kenë ‘shtëpinë’ e tyre të dedikuar në Bazën Ajrore të Farkës, aty ku sapo ka përfunduar ndërtimi i hangarit të ri,” shkruan Rama.

Hangari, sipas kryeministrit, garanton kushte moderne për mirëmbajtjen e helikopterëve, si dhe përmirëson ndjeshëm ambientet e punës për pilotët dhe teknikët e Forcës Ajrore.

“Investimi në infrastrukturë dhe modernizim do të rrisë operacionalitetin e Bazës së Farkës, duke ofruar të gjitha lehtësirat jo vetëm për kryerjen e punimeve të mirëmbajtjes së helikopterëve, por edhe përmirësimin e kushteve të punës për pilotët dhe teknikët tanë,” -shkruan Rama.

“Black Hawk” janë helikopterë të avancuar shumëpërdorimësh, të prodhuar nga kompania amerikane Sikorsky. Të dizenjuar për transport taktik, mbështetje luftarake, kërkim-shpëtim dhe operacione emergjente, ata përdoren gjerësisht nga ushtria amerikane dhe vendet aleate të NATO-s. Shqipëria ka nisur pajisjen me këtë tip helikopterësh si pjesë e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjes së detyrimeve si vend anëtar i Aleancës.

H.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?