Një person i shpallur në kërkim nga shteti italian u ndalu nga policia shqiptare në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
A.H., 31 vjeç, banues në Kavajë u ndalua në kuadër të megaoperacionit ‘Sundimi i ligjit’.
'Si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, u ndalua në dalje të Shqipërisë, shtetasi A. H., 31 vjeç, banues në Kavajë.', thuhet në njoftimin e policisë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi akuzohet si pjesëtar i një organizate kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike.
Ndërkohë vijojnë procedurat e ekstradimit të 31-vjeçarit për në Itali, ku do të përballet me drejtësinë italiane.