Opinion

Hante dhe qante

24 Dhjetor 2018, 20:45| Përditesimi: 24 Dhjetor 2018, 20:48

  • Share

Përdorimi i dhëmbëve për shkuljen e tapave metalike të shisheve, për thyerjen e arrave, bajameve, lajthive, deri edhe për copëtimin dhe gëlltitjen e qelqeve, ishin të zakonshme. Thuhej se për shkak të ushqimit të pakët duke mos u përdorur dhëmbët shndërrohen në gjymtyrë atavike, në send batall. Flitej për dhëmbin e verdhë të kurvit, për dhëmbin e qenit, dhëmbin e qumështit, dhëmbin e shkulur që duhej hedhur mbi çati, dhëmbët e oborrtarëve rusë që Pjetri i Madh, pasi pa në ëndërr se u bë dentist, ua shkuli me darë kovaçi dhe ata s'bënë gëk, për rëndësinë e dhëmbëve në arenën ndërkombëtare; klasa puntore lufton dhëmbëpërdhëmbë me imperializmin etj. etj.

Kishte patur në atë burg të burgosur pa këmbë por që ecnin, pa gojë por që flisnin, pa veshë por që dëgjonin, pa sy por që shihnin. Por si ky që pa dhëmbë, hante, gërryente, shqyente, pa problem gjithçka, s'mbahej ment asnjë. Gjatë viteve të para të burgut, për shkak të mospërdorimit dhe ushqimit të keq, i ranë edhe ata dhëmbë që i kishin mbetur pas plasjes së kokës pas muri në hetuesi, dhe mbeti pa asnjë dhëmb. Nuk qe i vetmi i burgosur pa dhëmbë. Të burgosur pa asnjë dhëmbë ose me vetëm 1 dhëmb, kishte plot.

Çudia ishte se ky pa asnjë dhëmb hante më tepër se të tjerët që disa dhëmbë i kishin. Në përpjekje për të zbuluar misterin e ngrënies pa dhëmbë, bëheshin hamendje nga më të ndryshmet. Ca thoshin se punën e dhëmbëve këtij qyqari ja bënin kockat e forta të nofullave. Të tjerë supozonin se ai, me dhjamrat, kockat, dejet e nakatosura me ujë, sajonte në fshehtësi një llapa' që e gëlltiste ngadalë të mos dukej si pirje por si ngrënie. Enigma u zbulua vetëm kur i burgosuri pa dhëmbë por që kafshonte dhe hante, vdiq. Ju gjetën nën dyshek proteza dentale metalike, dhëmbë dhe dhëmballë hekuri. I kishte bërë vetë me daltë dhe limë. I hiqte kur flinte. I vinte kur hante dhe qante.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?