Në fshatin Gollomboç në zonën e Pustecit, ku lindi, “Pse-ja” e Sterjo Spasses, fton vizitorët në kërkim të një përgjigjeje në shtëpinë-muze tanimë të restauruar. Prej dritareve kalimtarët pikasin pak, ndërsa pasi kalojnë pragun gjejnë copëza të jetës së shkrimtarit. I biri, Ilinden emocionohet... 32 vite pas ndarjes nga jeta të të atit, kjo është një mënyrë për ta nderuar...
“Është një ëndërr e papritur, sidomos për ne familjarët. Unë jam marrë me krijimtarinë e tij dhe tanimë na lumturon edhe çelja e këtij muzeu”, thotë Ilinden, djali i Sterjo Spasses.
Brenda shtëpisë së gurtë, janë të vendosura dorëshkrime, vlerësime që Spasse mori në të gjallë. Portretet në laps a penel të shkrimtarit, shuajnë kureshtjen e vizitorëve të parë... Ndërsa mes objekteve, qëndron makina e shkrimit me të cilën i dha jetë disa veprave...
“Është me shumë vlera për zonën, jo vetëm për vlerat arkitektonike e veprën e Spasses që ruhet në të, por do të shërbejë edhe si një atraksion turistik për zonën”, thotë Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë.
Për vlerat arkitektonike e shpirtërore, Shtëpia muze e Spasses, bëhet një arsye më shumë për të vizituar vendlindjen e tij, buzë Prespës...