Kronikë

Hap pas hapi/ Eksperti tregon në Report TV si Call Center-at vjedhin miliona euro nëpërmjet FOREX

3 Nëntor 2021, 22:17| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 22:30

  • Share

TIRANË- Nisur nga skandali i mashtrimeve që Call Center në Tiranë nëpërmjet FOREX kanë vjedhur mijëra euro qytetarëve europiane, eksperti i IT-së, Blesmir Selmanaj ka treguar për Report Tv, hap pas hapi sesi funksionon skema e vjedhjes.

Selmanaj thotë se kjo skemë është shumë e vjetër dhe personat e moshuar ose ata që nuk janë të mirinformuar janë më të rrezikuarit përballë mashtrimeve të tilla. Ai thekson se ‘klientët’ joshen nga premtimet marramendëse që ju ofrohen se nëse do të investojnë një shumë të caktuar parash ajo të 3-fishohet e 4-fishohet. Por më pas, eksperti shpjegon se llogaria e tyre bankare bllokohet, ndërsa shkëputet edhe kontakti me personin që ka depozituar paratë.

Sipas Selamanjt Shqipëria është nënkontraktore e këtij krimi, pra vendi ynë thjesht ofron pjesën e Call Center, por është diçka e organizuar tej Shqipërisë.

“Kjo është një skemë shumë  e vjetër. Skemë që funksionin në të gjithë botën prej dhjetëra vitesh. Persona të ndryshëm investojnë në bursë, investojnë në faqe online burse të cilat janë të certifikuara dhe ku mund të bleni aksione kompanish, kriptovaluta të ndryshme dhe me këto blerje investimesh merrni përsipër riskun, pra mund të kemi një humbje të investimit por edhe fitim të tij. FOREX-i është diçka e ligjshme, pra nuk duhet të dalë sikur çdo investim që bëhet në FOREX nëpër botë është diçka e paligjshme dhe paratë e mia do të humbin. Por kemi të bëjmë me një rrjet jo të ligjshëm të FOREX-i, rrjet i cili është i lidhur me bursat dhe kriptovalutat. Kemi të bëjmë me një faqe që thjesht mashtron, nuk figuron askund.

Dallohet sepse nuk është faqe e mirënjohur që del gjithandej në internet, e dyta premtimet që të ofrohen janë marramendëse, që për një muaj do të 3-fishosh, 4-fishoh e 5-fishosh kompaninë. Ndërkohë, kompanitë që punojnë me bursat ose kriptovalutat asnjëra nuk mund të të premtojë që ti do shumëfishosh, mund të japin indicien që kjo kriptovalutë që mund të ketë rritje, por nga ana tjetër të bën të qartë që edhe mund të humbasësh.

Pikë së pari merren në telefon persona që nuk janë të mirinformuar ose janë të moshuar. Binden që X aksion ose kriptovalutë do të ketë një rritje të frikshme dhe nëse ju sot investoni 1  mijë euro për një muaj do bëhen 10 mijë, 20 mijë, 320 mijë euro. Nëse ky person bindet, pastaj i tregohet faqja ku mund të bëjë blerjen. I jepet faqja, kemi shumë raste kur këta personave moshë të thyer nuk arrijë të bëjmë transaksionet vetë, këta perona i ofrojnë dhe ndihmë për të kryer transaksionit. Në background-in e këtyre faqeve që janë të krijuara dhe menaxhohen me një adresë në Zvicër, Gjermani, llogaritë bankare që janë pas këtij sistemi janë në offshore dhe të gjitha këto para kalojnë në offshore. Ajo që behet është që këtij personi i mbyllet llogaria dhe i shkëputet kontakti, se kur themi Call Center nuk kemi të bëjmë me një numër kompanie shqiptare, kemi të bëjmë me sisteme telefonike që përdorin internetin dhe dalin me numra joshqiptar. Dalin me numra zviceran nëse pretendon se personin në fjalë po e telefonon nga Zvicra dhe këto persona në momentin që bien pre ka raste që shuma që fusin 1 mijë euro ju rritet në 2 mijë euro për t’i joshur në mënyrë që të investojnë më shumë. Ndërkohë që nëse kërkon të tërheqë 2 mijë euroshin se tërheqin dot.

Duhet të kemi diçka të qartë se po del sikur Shqipëria është organizator ose në Shqipëri po bëhet nami. Shqipëria është nënkontraktor i këtij krimi, pra Shqipëria thjesht po ofron pjesën e Call Center, pra është diçka e organizuar tej Shqipërisë”, tha Selmanaj për Report Tv.

Ndërkohë, eksperti u ndal edhe në një çështje tjetër, atë të krimit kibernetik. Sipas Selmanajt, krimi kibernetik zakonisht ndodh në blerjet online, ku hacker-at arrijnë të sigurojnë karta krediti të vjedhura dhe përmes tyre bëjnë blerje online, por paratë nuk depozitohen në llogarinë bankare të kompanisë, pasi ose karta do të deklarohet e vjedhur ose transaksioni do të bllokohet.

Selmanaj ka një këshillë për kompanitë shqiptare. Ai iu bën thirrje atyre që sistemet e pagesave për blerjet online t’i lidhin me bankat ose me platforma të tjera që janë të certifikuara për këtë shërbim. Ndërsa qytetarëve iu bën apel që të jenë të kujdesshëm ku publikojnë të dhënat e tyre sensitive si pini i kartës apo numri i llogarisë bankare.

“Ajo që çdo kompani që ofron shërbimet e shit blerjes online është trajnimi dhe bërja e vetëdijshëm të punonjësve sepse pjesa më e madhe krimeve ndodhin nga pakujdesitë punonjësit. Për blerjet skemat funksionojnë duke përdorur karta krediti që janë të vjedhura. Persona të ndryshëm në shtete të ndryshme sigurojnë në dark ëeb nga grupe keqbërëse karta krediti që janë të vjedhura dhe bëjnë porosi online. Duke qenë se një pjesë e këtyre sistemeve të kompanive që shesin produkte online nuk e kanë të lidhur me debitim direkt të blerjes por ka raste që debitimi bëhet në një kohë të dytë. Personat blejnë produktin, ndërkohë që paratë nuk do kalojnë sepse karta do deklarohet e vjedhur ose transaksioni do të bllokohet, por ka edhe mënyra më të sofistikuara.

Ajo që duhet të bëjnë të gjitha kompanitë shqiptare, sistemet e tyre të pagesave t’i lidhin me sistemi të autorizuara dhe banka. Nuk duhet të hap dyqan online dhe të instalojë platformën e parë që ofron pagesa online që nuk është e certifikuar, por duhet t’iu drejtohen bankave dhe institucioneve të tjera për të marrë platforma pagesash të certifikuara. Duhet të kemi parasysh edhe qytetarët që bëjnë blere online, nuk duhet të blejnë në çdo faqe dhe duhet të bëjnë kujdes ku publikojnë të dhënat e tyre personale, numri i kartës, pini. Është një kujdesje që duhet ta tregojnë të dyja palët.

Diku tek 90% e krimeve kibernetik quhen krime kibernetike social. Janë krime kibernetike ku e gjithë përgjegjësia bie mbi personin. Pra, personi është ai që gabon, personi është ai që jep të dhënat që nuk duhet t’i jepte, klikon gjëra që nuk duhet t’i klikonte ose instalon aplikacione që nuk duhet të instalohen. Më të prekur shoh personat që blejnë online sepse duke u joshur nga çmime të ndryshme tentojnë të vendosin të dhënat e tyre personale. Edhe mund ta marrin produktin, por të dhënat e vendosura në këto faqe që nuk janë të sigurt, mund të keqpërdoren në një të ardhme. Në momentin që ne shohim një super ofertë në shit-blerjet online duhet të kemi kujdes", u shpreh eksperti. 

Sakaq, Selamaj tha se shqiptarët bien pre e sulmit kibernetik, por nuk e ushtrojnë atë, pasi sipas statistikave ka shumë pak shtetas shqiptarë që janë ndaluar ose arrestuar për krime kibernetike.

“Krimi kibernetik nuk ka kufi. Shqiptarët më shumë janë viktima të krimit kibernetik sesa janë bërës të krimit kibernetik. Po të shohim statistikat kemi shumë pak arrestime ose ndalime të shqiptarëve të cilët kanë bërë krime kibernetike. Kjo nuk ka të bëjë me aftësitë shtetërore që ka Shqipëria për ti gjetur këta persona, sepse nëse këta persona do kryeni akte të krimit kibernetik do binin në rrjetat e institucioneve partnere me të cilat polica e shtetit bashkëpunon”, vijoi ai.

Kujtojmë që mbi 1 mijë qytetarë të huaj dyshohet të jenë mashtruar nga kompani të rreme në Shqipëri që përdorin Forex për t’i joshur ata të investojnë në bursë me premtimin se do u dyfishohet fitimi. Organi i akuzës është vënë në lëvizje pas denoncimeve nga shtetet e huaja, dhe po i kërkon informacion bankave të nivelit të dytë, tatimeve dhe kompanive telefonike për lëvizjet e kompanive Call Center të dyshimta.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?