Hapat e Skënderbeut për të luajtur në Champions league

5 Maj 2018, 15:54| Përditesimi: 5 Maj 2018, 16:33

  • Share

Vendimi i Komisionit të Apelit në UEFA, ku rikonfirmon dënimin 10 vjeçar të Skënderbeut në kupat e Evropës, si dhe 1 milion euro gjobë, nuk e ka gjetur të papërgatitur klubin korçar.

Zyra ligjore e zgjedhur nga klubi ishte përgatitur prej kohësh për një eventualitet të tillë dhe tani do zbatojë në afatet e paracaktuara sipas kornizave ligjore.

Së pari, një kërkesë drejtuar KAS të Lozanës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të UEFA-s. Meqenëse vendimi i Apelit vlerësohet si urdhër ekzekutiv, UEFA nuk e llogarit në shortet ndërkombëtare duke filluar nga ky edicion. 

Vetëm Arbitrazhi Sportiv Ndërkombëtar mund të pezullojë për momentin vendimin e UEFA-s, deri në një urdhër të dytë që del pikërisht nga Lozana.

Ndaj Skënderbeu do të përpilojë një shkresë drejtuar KAS-it, që ky i fundit të urdhërojë pezullimin e vendimit të UEFA-s derisa të ketë mbaruar procesi i apelimit në Lozanë. Klubi ndoqi një taktikë të tillë edhe dy vite më parë, duke detyruar UEFA-n që të përfshinte emrin e tij në shortin për aktivitetet ndërkombëtare. 

Në këtë mënyrë, Skënderbeu shpreson që të mund të marrë pjesë në këtë edicion të Champions League, meqë po rrugëton i qetë drejt titullit kampion.

Sipas afateve të përcaktuara ligjore, pastaj korçarët do të bëjnë edhe hapin e dytë me kërkesën për apelim në CAS të Lozanës, duke kërkuar hedhjen poshtë të vendimit të dalë nga zyrat e UEFA-s. 

Korçarët kësaj here nuk do pranojnë gjykim të përshpejtuar, edhe pse këtë mund ta kërkojë UEFA. Duke shtyrë gjyqin e CAS përtej korrikut, klubi korçar ka bindjen se të paktën në këtë sezon do të ketë mundësinë që të tregojë veten në arenën ndërkombëtare. 

er.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?