Në datën 16 nëntor 2022 hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, të ndara sipas nevojave organike të drejtorive vendore të Policisë.
Aplikimet do të jenë të hapura deri në datën 30.12.2022. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë drejtorisë vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 kursantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.
KRITERET PËR APLIKIM
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në shkollën bazë të Policisë, për “Patrullë të Përgjithshme”, janë:
– Të jetë shtetas shqiptar;
- Të jetë jo më shumë se 30 vjeç;
- Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
- Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën dhe të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
- Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
- Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
- Të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Aplikantët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm, për aplikim në Polici:
- Kërkesën e motivuar, në të cilën shprehen arsyet pse aplikanti dëshiron të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit;
- Formularin e aplikimit dhe autorizimin për sigurimin e dokumentacionit;
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
- Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
- Vërtetim nga gjykata;
- Vërtetim nga prokuroria;
- Fotokopje të librezës së punës, për ata që janë në marrëdhënie pune ose i kanë shkëputur marrëdhëniet e punës;
- Vërtetim që ndjek arsimin e lartë (për ata që vazhdojnë arsimit e lartë);
- Dokument i lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se aplikanti nuk është përdorues i lëndëve narkotike;
- Mandat-pagesa e tarifës së aplikimit.
Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.
Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.
SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT
Afati i shqyrtimit dhe i verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.
Aplikanti që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet dhe njoftohet me shkrim nga strukturat e Burimeve Njerëzore.
Aplikanti ka të drejtën e ankimimit tek Drejtoria Vendore e Policisë, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton ankimimin dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.
FAZAT E KONKURRIMIT
Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar më tej procesin e konkurrimit, në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Secili aplikant, për çdo paqartësi që mund të ketë lidhur me këtë proces, mund të drejtohet pranë strukturave të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre, me e-mail, në adresën: [email protected]
Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritokracisë.