Foto ilustruese

Sociale

‘Mësues për Shqipërinë' 2025, aplikimet mund të bëhen përmes e-Albania në datat 2-16 qershor

30 Maj, 13:24| Përditesimi: 30 Maj, 13:40

  • Share

Më 2 qershor hapen aplikimet në platformën “Mësues për Shqipërinë” 2025. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale bën të ditur se aplikimet do zgjasin deri më 16 qershor. Ata që kanë dhënë provimin e licensës në maj 2025 ose janë në process të licensimit, afati i aplikimit është nga data 13-23 qershor.

“Hapen aplikimet për “Mësues për Shqipërinë” 2025. Nga 2 deri më 16 qershor 2025, hapen aplikimet në platformën e-Albania, për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e sistemit arsimor”, shkruan kryeministri.

Regjistrimi i kandidatëve mund të bëhet përmes e-Albania në shërbimin “Aplikim për konkurrim për punësim si mësues”. Sipas kritereve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, kandidati i interesuar aplikon në DRAP-in ku ka vendbanimin e përhershëm dhe ka të drejtë të përzgjedhë deri në 3 ZVAP ku dëshiron të punësohet. Gjithashtu, kandidati që zotëron më shumë se një licencë, ka të drejtë të konkurrojë në profilet sipas licencave përkatëse, duke bërë aplikim më vete për secilën licencë.

Për ata që dëshirojnë të punojnë si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, krahas aplikimit për profilin përkatës, duhet të zgjedhin edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”.

Në fazën e parë do të bëhet vlerësimi i dosjeve të aplikimit për plotësimin e kritereve ligjore. Kandidatët kanë të drejtë të bëjnë ankimimin për vlerësimin me pikë dhe verifikimin e dosjeve për kualifikim, ndërkohë që Komisioni i Vlerësimit të Dosjeve shqyrton ankesat dhe konfirmon kandidatët e kualifikuar, të cilët futen në testim apo mbartin pikët e portalit 2024.

Faza e dytë përfshin testimin e informatizuar, ndërkohë që Qendra e Shërbimeve Arsimore duhet të nxjerrë rezultatet e testit të informatizuar brenda datës 31 gusht 2025.  Lista përfundimtare e kandidatëve së bashku me renditjen e tyre është gati brenda datës 2 shtator 2025.

 

Dokumentacioni i aplikimit:

Të gjithë kandidatët për mësues, përfshirë dhe parashkollorin (kandidatët që kanë qenë pjesëmarrës në portalet e mëparshme dhe kandidatët e rinj), kanë detyrim të ngarkojnë online dosjen për konkurrim, në të kundërt, përjashtohen nga konkurrimi dhe hiqen nga lista e portalit.

Dokumentet që ngarkohen nga kandidati janë:
a) Kopje e diplomës/ave për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe listën e notave, (të detyrueshme për t’u ngarkuar).
b) Kopje e librezës së punës e plotësuar deri deri në momentin e aplikimit. (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet me pikë).
c) Kopje e dëshmive të kualifikimit për kategoritë: “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër” (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet me pikë). D
) Kopje e certifikatave me krediteve të trajnimeve të kryera brenda dhe jashtë vendit. Certifikatat me kredite të trajnimeve të kryera brenda vendit të jenë ofruar nga MAS, institucionet e varësisë ose nga agjencitë e akredituara. (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet me pikë).
e) Kopje e dëshmisë së njohjes së gjuhës/ve të huaja (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet).

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?