Regjistrimet online për klasat e para dhe të dhjeta në platformën e-Albania janë hapur sot për regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2025-2026.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu bën me dije se regjistrimet do të vijojnë deri më 31 gusht për t’i dhënë mundësi të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në çdo kohë të përshtatshme për ta.
Si bëhet regjistrimi në klasën e parë
Nxënësit i lejohet të regjistrohet në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit. Harta e mbulimit të territorit, e miratuar nga Njësia vendore, respektohet gjatë regjistrimit të nxënësve në klasën e parë.
Dokumentacioni i nevojshëm
Dokumente që ngarkohen nga aplikanti: - Dokumenti i kujdestarisë ligjore (vetëm në rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet nga personi që ka kujdestarinë ligjore).
Hapat e procedurës
Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin "Regjistrimi në klasë të parë"; Klikoni butonin "Përdor"; Plotësoni formularin e aplikimit dhe klikoni "Dërgo"; Aplikimi mbërrin në shkollën përkatëse ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla fillon procedurën për trajtimin e kërkesës; Shkolla regjistron nxënësin kur është kryer procedura dhe është ngarkuar dokumentacioni i nevojshëm sipas kriteve të përcaktuara; Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 10 ditësh nga momenti i dërgimit të aplikimit; Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.
Si bëhet regjistrimi në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar
Nxënësit regjistrohen në gjimnaz publik sipas zonës së gjimnazit sipas planifikimit paraprak të Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar. Zona e gjimnazit dhe planifikimi paraprak respektohen me përpikëri nga drejtori i IA-së. Pranimet në shkollat e arsimit të mesëm të orientuar (artistike, sportive, për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera) bëhen sipas përcaktimeve të udhëzimit përkatës të ministrit.
Shkollat e arsimit të mesëm të orientuar pranojnë nxënës edhe nga Bashkitë e tjera, të cilat nuk kanë shkolla të arsimit të mesëm të orientuar. Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, bën aplikimin online duke plotësuar të dhënat e nevojshme të formularit dhe pret përgjigjen e miratimit ose refuzimit të aplikimit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Dokumente që ngarkohen nga aplikanti: Dokumenti i kujdestarisë ligjore në rastet kur fëmija regjistrohet nga personi që ka kujdestarinë ligjore (vetëm kur aplikimi bëhet nga kujdestari ligjor i fëmijës); Raport mjekësor (vetëm kur aplikohet për Shkollë të Mesme me konkurs (sportive)).
Hapat e procedurës
Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin "Regjistrimi në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar"; Klikoni butonin "Përdor" dhe plotësoni formularin elektronik; Aplikimi mbërrin në shkollën përkatëse ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla bën procedurën për trajtimin e kërkesës; Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 10 ditëve nga momenti i dërgimit të aplikimit; Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.
Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit për të dyja rastet
10 ditë
Kostot
Pa pagesë
Komente
