Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jeruzalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington në shtator të vitit që shkoi.
Lajmin e kanë bërë me dije përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku kanë shkruar se vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.”, shkruhet në postim.
Në pamundësi për të qenë prezentë në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.
Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit si dhe zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, zyrtarisht bëhet hapja e Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem.