Hapet çerdhja 'Bota e Fëmijëve' në Astir, Veliaj: Zgjidhëm problemin për 170 familje të zonës! Ofrojmë të njëjtin standard si në të gjitha çerdhet e Tiranës

10 Maj 2023, 13:54| Përditesimi: 10 Maj 2023, 14:05

  • Share

Hapet çerdhja e parë në zonën e Astirit. Me një kapacitet për 170 fëmijë, kjo çerdhe, që u vjen në ndihmë prindërve, ofron shërbim me standarde të larta, njësoj si të gjitha institucionet e tjera të arsimit parashkollor të ndërtuara në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se çerdhja i jep zgjidhje problematikës së trashëguar në këtë zonë, për shkak të keqmenaxhimit nga ish-drejtuesit e ish komunës Kashar, por edhe atyre që bllokuan për 3 vjet punimet në Astir. 

“Te zanati ynë gjërat ndahen mes atyre që gjejnë fajin dhe atyre që gjejnë zgjidhjen. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Astir. E dimë kush e ka drejtuar ish komunën, e dimë që nuk kishte asnjë terren të lirë për shërbime të tilla. Detyra jonë është të shohim përpara dhe të gjejmë zgjidhje. Zgjidhja që kemi gjetur është duke thyer një tabu sepse sot hapim çerdhen më të madhe në Tiranë, për të cilën kemi marrë një hapësirë me qira, në pamundësi të gjendjes së një terreni në zonën e ‘Astirit’. Por, nga një zgjidhje e përkohshme, mund të kthehet në një zgjidhje standard për ato zona ku kemi vështirësi për gjetjen e një terreni; pra, në ish-komunat e administruara keq vetëm për të bërë pallate, por jo për të lënë terren për ndërtesa publike,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se bashkia ka zgjidhur problemin e çerdhes për 170 familje të zonës. “Jo vetëm që është çerdhja më e madhe, por është mobiluar në kohë rekord me të gjitha standardet që kemi në të gjitha çerdhet e Tiranës, përfshirë edhe një kuzhinë, ku ushqimi vjen i freskët, konsumohet brenda ditës, ndërsa të nesërmen vjen furnizimi i ri, çka i jep qytetarëve të Astirit garancinë se po trajtohen me të njëjtin respekt, me të njëjtin dinjitet dhe me të njëjtën cilësi shërbimesh si në të gjitha zonat e Tiranës,” nënvizoi më tej kreu i Bashkisë. 

Më tej, ai shtoi se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i zonave të tilla, si Astiri, ku do i jepet fund çdo problematike me kopshtet e çerdhet, por dhe do të ndërtohen 5 shkolla të reja. 

“Mandati që vjen do të jetë mandati i zonave si Astiri, ku duam të shkojmë deri në cepin fundor. Do fillojmë me më të vegjlit, nga çerdhja, te kopshti, te shkolla. Kemi 5 terrene për shkolla, ku pritet të nisë puna së shpejti, tani që edhe çmimet janë stabilizuar pas inflacionit të luftës. Me zgjidhjen që i dhamë zhbllokimit të autostradës me aksin e rrugës “Migjeni”, tani me të gjitha degëzimet e rrugëve, deri sa të shkojmë në cepin më fundor të “Astirit”, për të shkuar te asfalti, kanalizimet dhe urbanizimin, besoj që fillimi i institucioneve arsimore e vulos këtë si një zonë me perspective. Investimi që do të pasojë çerdhet, kopshtet, shkollat dhe pastaj zona e lirë ekonomike, që do t’i shërbejë kryesisht “Astirit”, edhe “Kombinatit”, do të jetë vërtetë një lajm i jashtëzakonshëm për komunitetit,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Plarent Ndreca, e quajti një lajm të mirë për gjithë zonën e Astirit hapjen e kësaj çerdheje.

“Është ditë fantastike për “Astirin”! Ka qenë një ndër kërkesat e vazhdueshme të komunitetit. I jep zgjidhje shumë të mirë kësaj zone dhe ka inkurajuar edhe shumë familje të regjistrojnë fëmijët e tyre”, tha ai.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?