Për shkak të rritjes së numrit të pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim tashmë janë dy struktura COVID në funksion, spitali Infektiv dhe COVID 3 në QSUT.
Në dy spitalet po marrin trajtim mbi 132 pacientë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se rreth 30 prej tyre janë tek COVID 3. Në këtë strukturë që ka kapacitet për 150 shtretër, ndodhen ata pacientë që janë drejt përmirësimit nga gjendja shëndetësore. Ndërsa pjesa tjetër ndodhen tek infektivi, ku ende ka shtretër të lirë.
Në oborrin e spitalit Infektiv nuk kanë munguar ambulancat që sillnin të tjerë qytetarë që kishin nevojë për ndihmën e mjekëve.
Një prej rasteve ishte dhe ajo e një qytetari 69 vjeçar, të cilin ndonëse e kishin nxjerrë nga spitali mbrëmjen e kaluar, urgjenca e solli sërish këtë të hënë tek spitali Infektiv.
“Katër ditë ka ndenjur këtu. Dje flas me burrin më thotë që do më sjelli urgjenca, makina e ambulancës do më sjelli në shtëpi. Erdhi në shtëpi nuk më hëngri fare dje. Ai mbrëmë me 515 diabetin, u bë sikur ishte i vdekur. Se ka pasur, diabeti tani, unë po kam 20 vjet. I kishte dhënë ilaçet, Najada madje dje në mëngjes i ka bërë dhe skanerin, negativ. Po ti si i thua tjetrit për katër ditë je negativ, kur ai me diabet 515, ti ma nxjerr nga spitali. Ja tashi e sollëm, erdhi urgjenca në shtëpi se ishte me 83 oksigjen”-u shpreh bashkëshortja e një prej pacientëve.
Me rritjen e shtrimeve tek Infektivi, të tjera zhvendosje janë planifikuar drejt spitalit COVID 3.