Hapet COVID 4, shtrohen pacientët e parë! Manastirliu brenda spitalit: Gati 100 shtretër! Po përgatitemi për skenarët e tjerë! Brataj: Na lini të punojmë pa presione

30 Nëntor 2020, 20:37| Përditesimi: 1 Dhjetor 2020, 15:20

  • Share

Mbrëmjen e sotme është hapur spitali COVID 4 dhe në të janë shtruar pacientët e parë. Ky spital do të jetë me një staf mjekësor që do t'u shërbejë vetëm pacientëve me COVID-19 që kanë nevojë për një trajtim të veçantë pas kalimit të fazës akute. COVID 4, do të presë pacientët e përmirësuar pas trajtimit në 3 spitalet COVID. 

Ka qenë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ajo që e ka bërë me dije lajmin, ndërsa ka shkuar vetë në ambientet e spitalit. Ministrja tha se kjo është struktura e rradhës që vihet në shërbim të qytetarëve të prekur, strukturë e cila ka qenë pjesë e strategjisë për përballimin e pandemisë.

"Ia dolëm sot ta hapim pas një pune të madhe intensive të ditëve të fundit.  Ne e kishim bërë pjesë të strategjisë tonë përfshirjen e 4 spitaleve. Kjo erdhi si pasojë e rritjes së numrit  të pacientëve dhe plotësimit të kapaciteteve në spitalet e para COVID. 100 shtretër ka ky spital dhe nuk është në korpusin tipik të spitaleve tona. Për këtë është dhe një angazhim më shumë. Jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe 24 orët e  fundit kanë qenë intensive në pritje të pacientëve. Ky është një tjetër hap drejt rritjes se kapaciteteve tona. Kjo është struktura e rradhës që i vihet në shërbim qytetarëve", tha ministrja.

Në këtë spital do të ketë 100 shtretër në dispozicion dhe pas hapjes së tij, ministrja tha se po bëhen gati për skenarë të tjerë për të lehtësuar sistemin shëndetësor dhe për t'u shërbyer qytetarëve, e këtu bëhet fjalë për hapjen e spitalëve rajonalë. Këto përgatitje vijojnë për shkak se shifrat e të prekurve me COVID janë rritur, dhe bashkë me to edhe shtrimet në spitale.

"Jam e bindur që do tja dalim. Do të bëjmë dhe një hap në jetësimin e COVID 4. Patjetër që do të përgatitemi dhe për skenarë të tjerë për atë çfarë kemi thenë për të lehtësuar të gjithë sistemin shëndetësor por edhe për tu shërbyer qytetarëve kudo ku janë", shtoi ajo.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili së bashku me një grup mjekësh shoqëronin ministren në ambientet e COVID 4, ka bërë apel që t'i lënë bluzat e bardha të punojnë të qetë në këtë situatë pandemie, dhe jo të ndikuar nga presionet.

"Çdo hallkë që shtohet është pjesë e shërbimit shëndetësor. Sjemi të ndarë jem të gjithë shërbimi shëndetësor i Shqipërisë. Thjesht të na lënë të qetë të punojmë në këtë pandemi dhe jo me presion, por në shërbim të qytetarëve", tha Brataj.

Spitali COVID-4 ka 100 shtretër dhe në të do të transferohen pacientët nga spitalet e tjera COVID, që kanë kaluar fazën akute nga infektimi me koronavirus dhe kanë nevojë për një trajtim të veçantë. Report TV disa ditë më parë ka bërë një "vëzhgim" në ambientet e COVID 4, i cili në varësi të situatës mund të përballojë deri në 140 shtretër. Ndryshe nga sa u tha në fillim, ky spital nuk do të jetë vetëm për ata që janë në gjendje të mirë shëndetësore. Në katin e parë të tij, ndodhen 10 shtretër të cilët do të shërbejnë për terapinë intensive.

Edhe kryeministri Edi Rama, disa ditë më parë publikoi pamjet e COVID 4, ku shkruante se spitali është gati me gjithçka duhet në "vijën e zjarrit", por nga ana tjetër u bëri apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, duke theksuar se kjo luftë mund të fitohet nëse secili zbaton masat për të frenuar përhapjen e virusit.

Pacientët e parë në spitalin COVID 4

Komento

Komente

  • Nard berisha: 01/12/2020 08:55

    Ky spital eshte ndertuar nga "Nard Ndok Berisha". Imagjino te kishte rene kjo fatkeqesi ne kohe e Nardit ministrit te shendetesise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?