Nga sot e në vazhdim pika Kufitare Kapshticë do të hapet vetëm për hyrjen në Shqipëri të këmbësorëve dhe të kamionëve të mallrave, që vijnë nga Greqia.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë përmes një njoftimi thekson se autobusat, taksitë, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.
Prej ditës së sotme dhe në vazhdim, nga ora 06:00 deri në orën 22:00, do të lejohen të dalin nga Greqia dhe të hyjnë në Shqipëri, vetëm këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë, kamiona mallrash, kurse hyrja për në shtetin grek, vijon të jetë e mbyllur.
"Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë: Informohemi nga Autoritetet e Policisë Greke, se në vijim të masave të marra mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej ditës së sotme dhe në vazhdim, nga ora 06:00 deri në orën 22:00, do të lejohen të dalin nga Greqia dhe të hyjnë në Shqipëri nëpërmjet kësaj Pike Kalimi, vetëm këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë, kamiona mallrash. Ndërsa autobusat, taksitë, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë. Rikujtojmë qytetarët se hyrja për në shtetin grek, vijon të jetë e mbyllur", thuhet në njoftim.
Fillimisht Kapshtica u mbyll më 20 nëntor në kuadër të masave të marra nga shteti fqinj për frenimin e përhapjes së COVID, vendim ky që shkaktoi rradhë të gjata kamionësh. Ndërsa disa ditë më parë, si pasojë e përkeqësimit të situatës së COVID në Greqi, autoritetet greke shtynë deri në 14 dhjetor bllokimin e pikës kufitare të Kapshticës.
Me hapjen e pikës kufitare të Kapshticës vetëm për qytetarët që futen në Shqipëri, shofereët e kamionëve shprehen se kjo i ka lehtësuar shumë.
Gjatë periudhës që ka qenë e mbyllur, një prej qytetarëve shprehet se është futur në Greqi përmes Kakavijës ose nga Maqedonia e Veriut.
Ai thotë se kjo mënyrë i ka rënduar më shumë buxhetin e tyre pasi detyrimisht kanë përshkuar 200-300 km më shumë.
"Ne kemi udhëtuar nga Kakavija, nga Maqedonia. Ndërsa si kilometra kemi bërë 200-300 km më shumë. Si orë pune kemi bërë më shumë. Sot kam ikur nga Kakavija dhe jam kthyer në Kapshticë" - thotë një prej qytetarëve.
Perse due pyetur eshte me deshir apo me ligje
Përgjigju