Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka urdhëruar rihapjen e kopshtit të fëmijëve në qytetin e Gramshit. Vendimi vjen pas mbylljes së përkohshme të institucionit për shkak të shpërthimit të infeksionit të salmonelës, i cili preku rreth 20 fëmijë, përfshirë edhe një punonjëse kopshti. Në bazë të urdhrit të dhënë, kopshti do të vazhdojë funksionimin pa ofrimin e ushqimit për fëmijët, deri në një urdhër të dytë. Në dy ditët e para, drejtoresha e institucionit pohon se kopshti është frekuentuar nga një numër minimal fëmijësh, por shpreson që ky numër të rritet në vijim.
“Nga situata që ndodhi në kopshtin tonë, në radhë të parë i uroj shëndet fëmijëve dhe të shkuara atyre fëmijëve që e dolën me sëmundjen e salmonelës. Sa morëm vesh që fëmijët ishin helmuar, u pezullua menjëherë puna në kopsht nga Inspektoriati Shëndetësor. U mbyll kopshti dhe u morën disa masa. U bënë analizat e gjithë stafit dhe u morën analizat e ujit të pijshëm dhe fëmijët u përmirësuan dhe janë mirë me shëndet. Edhe më pas u dha urdhër që të hapet kopshti. Kuzhina është e mbyllur dhe kopshti funksionon pa kuzhinën. Janë pranuar fëmijët që kanë dalë me analiza negative.” - u shpreh Mimoza Çekrezi, drejtoreshë e Kopshtit nr.1 në Gramsh.
Vetë AKU sqaroi se fëmijët e kopshtit nr. 1 në Gramsh janë helmuar nga vezët, të cilat kanë rezultuar të kontaminuara me salmonelë. Por në kontrollet e kryera në subjektin prodhues, ky i fundit ka rezultuar i pastër, duke hedhur dyshime se kontaminimi të jetë kryer në ambientet e kopshtit. Përballë një situate të tillë, komuniteti lokal ka paqartësi dhe pasiguri.
“Çfarë normale, a quhet normale sa të helmohen 70 e ca fëmijë. Përgjegjësinë e kanë ata që bëjnë ushqimin atje.” -u shpreh një nga banorët.
Një banor tjetër vijoi duke thënë:
“Mendimi ynë është kjo, se nga ushqimi erdhi ai. Këto ushqime nuk kontrollohen. Ekspertët që merren me ushqimin e kanë këtë.”
Hetimet vijojnë, ndërsa përgjegjësit e atyre që rrezikuan jetën e fëmijëve e jo vetëm, ende nuk kanë dalë. Nga ana tjetër, Bashkia e Gramshit bën me dije se ka vënë në dispozicion të kopshtit të gjitha mjetet e nevojshme për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe higjieno-sanitare, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve.
Komente
