SHKODËR- Në Shirokë është ngritur një qendër ankandi për tregtimin e peshkut. Kjo pikë grumbullimi e licencuar synon të rrisë cilësinë e ruajtjes dhe tregtimit si dhe u vjen në ndihmë 210 subjekteve në zonë.
Kjo është qendra e ankandit të peshkut e ngritur së fundmi në Shirokë. Këtu peshkatarët sjellin krapin e zënë në liqen, për ta shitur tek tregtarët që vijnë nga të gjitha anët e vendit. Që në orët e para të mëngjesit e gjithë sasia e krapit është shitur, ndërsa në mesditë vaskat janë të boshatisura.
Report Tv ka qenë pranë kësaj qendre të ngritur së fundmi nga organizata e menaxhimit të peshkut në Shkodër. Drejtori, Arjan Çinari tregon si lindi ideja për të grumbulluar gjithë peshkun e Shirokës në një pikë të vetme grumbullimi.
"Lindi si ide nga vetë peshkatarët nga nevoja e një tregu. Duke parë edhe abuzimet e tregtarëve me peshkatarët, organizata e menaxhimit mori këtë nismë me fondet e saj dhe të ministrisë së Bujqësisë", tha Çinari.
Çinari shprehet se peshku del nga kjo qendër është me certifikatë veterinare, ç'ka garanton cilësinë.
"Cilësia këtu është e garantuar. Çdo tregtar që shet peshk është i detyruar të tregojnë certifikatën e origjinës. Se mund të vijë peshk agrokulturë dhe shitet si peshk i liqenit të Shkodrës, pra e konkurron ne çmim, por kjo specie (e kultivuar) nuk është kurrë si krapi i egër që rritet në liqenin e Shkodrës", u shpreh ai.
Nga ana tjetër synohet te luftohet tregtia e paligjshme.
"Peshkatarët e paligjshme nuk do të lejohen të shesin në këtë qendër. Ata nuk do të pajisjen me certifikate veritare dhe do mbeten të zbuluar ne treg", përfundon Çinari.
Ankandi i Peshkut në Shirokë u shërben rreth 210 subjekteve dhe është një investim prej 43 milion lekesh i Organizatës së Peshkimit dhe Ministrisë së Bujqësisë. Kapaciteti është për 5 ton peshk, por mesatarja e krapit që kapet në Shirokë është rreth 2 ton në muaj.