Fshatrat Pogaj në Has dhe Gorozhupi i Kosovës tanimë janë më afër, me hapjen e një rrugë të re ndërkufitare. Me rëndësi ekonomike por edhe historike, Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti e cilësoi vetëm një pjesë të borxhit që sipas tij, Kosova i ka Hasit.
***
Një rrugë e re ndërkufitare që do të lidhë fshatin Pogaj në Has me atë Gorozhup në territorin e Kosovës, u inaugurua këtë fundjavë në praninë e Kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurti dhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Në fjalën e tij, Kurti tha se finalizimi i kësaj rruge një investim me vlerë 1 milion euro, është një pjesë e borxhit të madh që Kosova ka ndaj komunitetit hasjan.
Kjo rrugë ka edhe një simbolikë të rëndësishme historike.
Në vitet 1998-1999, kjo zonë u përball me dhunën e forcave serbe, që shënjestruan banesat e civilëve në të dy anët e kufirit.
Shumë të rinj u flijuan, duke mbetur dëshmorë të këtyre anëve.
Rruga Pogaj-Gorozhup shihet si një arterie e re jetike për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Hasit, duke krijuar një lidhje më të fortë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Komente
