Angli- Një 44-vjeçar shqiptar që kërkohej prej 16 vitesh për kultivim narkotikësh, është tradhtuar nga ADN-ja e tij, teksa u kap nga sistemi i të dhënave biologjike dhe u arrestua nga policia e Anglisë me qëllim ekstradimin drejt Greqisë.
Sipas dosjes hetimore rezulton se i kërkuari ka hapur plantacion droge në vitin 2008 në zonën e Trifilisë, ku u gjetën dhe asgjësuan 1790 fidanë kanabis sativa.
Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar njoftuan ndalimin pasi arriti që nga krahasimi i të dhënave biologjike të rezultonte se shqiptari kërkohej nga drejtësia greke. 44-vjeçari kishte arritur të arratisej dhe fshihej në ishull për shumë kohë, pa rënë në sy të organeve ligjzbatuese, deri pak ditë më parë, raportoi sot media greke.
Hetuesit e Prokurorisë së Narkotikëve dhe Departamentit të Hetimeve Penale të Kalamatës u njoftuan dhe konfirmuan identitetin dhe autorësinë e të dyshuarit për krimin e shumë viteve më parë.
Sipas policisë greke, “u identifikua dhe kap kultivuesi i rastit të plantacionit në Mesini, më datë 2 Shtator 2008”.
“Duke përdorur provat e duhura dhe të kombinuara, si dhe rezultatet e metodave fizike dhe shkencore, u identifikua 44-vjeçari shqiptar, i cili ishte aktiv në kultivimin e bimëve të kanabisit dhe tashmë ndodhet i burgosur në një qendër paraburgimi në Mbretërinë e Bashkuar”, njofton policia greke.
Por as mediat britanike dhe as ato greke nuk e zbuluan identitetin e tij, teksa kanë nisur procedurat e ekstradimit.