Këngëtari dhe kantautori Gjergj Leka ka rrëfyer një rast të veçantë kur i shkoi në mendje të hapte një restorant ku njerëzit mund të shkonin të hanin dhe të paguanin sa të dëshironin.
Mirëpo, siç rrëfeu kantautori i njohur, jo çdo gjë i shkoi sipas planit pasi rradha u bë shumë e gjatë. Në emisionin “S’e luan topi”, Gjergji tha se restoranit shërbeu për 48 ditë dhe më pas duke e parë që nuk po ia dilte dot më thjesht u zhduk duke ikur në Itali.
“Aty ku jetoj tek Liqeni i Thatë, është një bahçe, dhe unë bëra disa furra, por nuk e kisha llogaritur sa shok kisha… Dola në një program, më ngacmoi spikerja dhe tha ‘aty tek ty vihet?’. ‘Po mor, të vijë kush të dojë”, i thashë… Të nesërmen në mëngjes një dorë që po më zgjonte nga gjumi tha: ‘dil pak poshtë, shiko çfarë bëhet’. Ishte një kilometër radha që prisnin të hynin te bahçja. Të betohem, sepse kjo është për t’u bërë film, kam ndenjur 48 ditë që vetëm prisja njerëz, gatuaja, u jepja për të ngrënë dhe iknin. Në një moment u zhduka në Itali dhe thashë me vete ‘te bahçja nuk shkoj më’”, tregoi ai.