Fatmir Mediu, Sali e Shkëlzen Berisha dhe faksimile te dokumentave dhe tabulateve telefonike

Procesi i Gërdecit/ Pse SPAK shmang të thërrasë si dëshmitarë kyç Sali Berishën, kunatën dhe Rrahman Selmanllarin, shokun e Shkëlzenit?

24 Shtator 2023, 16:03| Përditesimi: 24 Shtator 2023, 16:53

  • Share

Një aferë kriminale e 15 viteve më parë, më tragjikja që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit shqiptar, me protagonistë në prapaskenë Shkëlzen dhe Sali Berishën, që solli si pasojë 27 viktima, plagosjen mbi 200 personave dhe rrafshimin e rreth 300 shtëpive e bizneseve, po çon më në fund në sallen e Gjykatës Speciale kundër Korrupsionit pas hetimeve të  SPAK-ut Fatmir Mediun, i cili më shumë se një dekadë më parë i shpëtoi drejtësisë me procedurë dhe me petkun e imunitetit, falë edhe kontrollit të Sali Berishës mbi Gjykatën e Lartë. 

Nuk ka deri më sot prova që Mediut të ketë përfituar personalisht nga biznesi i demontimit të municioneve në Gërdec, por ka fakte se ka vepruar me urdher të Sali Berishës dhe për llogari të interesave të djalit të tij, Shkelzenit, i cili edhe në këtë histori del si sekser. SPAK ka thirrur tashmë 71 dëshmitarë mes të cilëve është edhe Shkëlzen Berisha, i cili shpetoi deri tani nga pozicioni i të pandehurit por ka shmangur të tjere deshmitare kyc

Tabulatet telefonike me thirrje njëra pas tjetrës, menjëherë pas shpërthimit, përpara me pronarin e firmës së Gërdecit Mihal Delijorgjin dhe pastaj me Ministrin e Mrojtjes në detyrë, Fatmir Mediu, janë prova më e fortë që konfirmojnë se Shkëlzeni ishte njeriu kryesor në historinë e Gërdecit. Por jo vëtëm. Të faktohet roli i ndikimit dhe presioneve nga ana e Saliut dhe Shkëlzen Berishës në organizimin e biznesit të Gërdecit, është thelbësore për të vërtetuar përgjegjësinë e të pandehurit Fatmir Mediu. Pa ndërhyrjen e tyre, Fatmir Mediu nuk kishte asnjë interes për ta çuar përpara këtë biznes. Por çuditërisht nga lista e dëshmitarëve rezulton që SPAK ka harruar disa emra kyç për të sqaruar deri në fund skenarin e errët të Gërdecit.

Emri i parë që mungon është pikerisht ai i Sali Berishës, kryeministri që pranoi, lejoi dhe detyroi të firmosen të gjithë procedurat dhë kontratat me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me firmën shtetërore MEIKO dhe me firmat private Albademil dhe SAC, që implementuan kontratat. Pa marrë në pyetje në sallën e gjyqit Sali Berishën, si mund të sqarohen përgjegjësitë e Fatmir Mediut? Madje vetë thirrja e Shkëlzen Berishës si dëshmitar nuk ka kuptim duke mos thirrur edhe babain e tij. Pozicioni zyrtar i të cilit e ka nxitur djalin të futet në këtë histori. Pra Berisha, do të duhet të jetë në atë sallë në pozicionin e dyfishtë: si babai i një prej dëshmitarëve kryesorë dhe si urdherues i ministrit të pandehur. 

Berisha mori pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në 21 mars të vitit 2008 ku u diskutua pikërisht për tragjedia e Gërdecit. Përse nuk është thirrur të dëshmojë as ish Presidenti Bamir Topi që e drejtoi atë mbledhje? Vite më vonë Bamir Topi pat treguar se në atë mbledhje ka pasur debat të fortë ku dukej qartë një mungesë e zbatimit të ligjit nga një pjesë e mirë e institucioneve që lidhen me informacionin dhe sigurisë. Madje, dyshohet prej kohësh që debati në atë mbledhje që shkaktoi edhe përplasje midis Fatmir Mediut dhe Shefit të Shtabit Luan Hoxha, ishte një nga shkaqet e krisjes midis Sali Berishës dhe Bamir Topit.

 

Ka të tjera harresa shumë të rënda në listën e dëshmitarëve të përcaktuar nga SPAK-u si Rrahman Selmanllari, sipërmarrës i njohur botërisht si shoku i ngushtë i Shkëlzen Berishës që u përcaktua nga firma amerikane SAC si përfaqësues i tyre për të nënshkruar kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes. Kur SPAK e thirri për ta pyetur në fazën hetimore ne viti 2021, ai është përgjigjur se nuk dinte asgjë, pavarësisht ekzistencës së dokumenteve. Por të gënjenteedhe para gjykatës do të ishte për të shumë më e vështirë duke rrezikuar deri ne 2 vite burg. Atëherë, përse e lanë jashtë listës së dëshmitarëve? 

Një tjetër emër që mungon është ai i ish-Ministrit të Drejtësisë dhe ish zv.kryeministrit ne atë kohë Ilir Rusmajli, që pikërisht për kundërshtimin që pati për Gërdecin Sali Berisha e përjashtoi me vone edhe nga poliitka.

Në listën e dëshmitarëve nuk gjendet as emri i ish drejtori i SHIU-t (Shërbimi Informativ Ushtarak), Hysni Gjergji, i cili do të dëshmonte se përse refuzoi takimin me Shkëlzen Berishën, i cili e kërkonte për të folur për Gërdecin, sic mungon komandanti i Policise ushtarake Astrit Jaupi, i cili kishte denoncuar pa u dëgjuar, fillimin e punimeve në fabrikën e Gërdecit para se të ishin përfunduar procedurat e tenderit. 

Mungon gjithashtu Efraim Diveroli, trafikanti amerikan, pronar i kompanisë EYC që tregtoi qindra mijëra municione shqiptare dhe që ishte në dijeni mbi rolin e Shkëlzenit dhe të Sali Berishës. 

Vjollca Hoxha, motra e Liri Berishës dhe bashkëshortja e Muhamet Hoxhës, baxhanakut të Sali Berisha, i cili gjeti vdekjen nga shpërthimi në Gërdec në kohën që ishte punësuar aty, është një tjetër dëshmitare e rëndësishme që mungon në listën e SPAK. Loja e Sali Berishës me mosnjohjen, transformimin e emrit dhe mohimin e baxhanakut, do të ishte sqaruar fare mirë nga dëshmia e Vjollca Hoxhës, bashkëshortes së baxhanakut viktimë në Gërdec. 

Po le të kujtojmë hap pas hapi të gjitha lidhjet dhe dokumentat e kësaj afere midis ngjarjes tragjike të Gërdecit dhe familjes Berisha bashkë me rolet e dëshmitarëve të harruar. 

1. Lobimi i Shkelzeni tek Fatmir Mediu

Para përgatitjes së dokumentacionit për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, jashtë çdo kushti sigurie, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut ka hyrë dhe dalë shpesh Shkëlzen Berisha. Ky i fundit lobonte për biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, aty ku sot ka ngritur vetë biznesin e boronicave. Gjatë hetimit pas tragjedisë, prokuroria ka sekuestruar blloqet e shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut, Anjola Agolli, ku shënoheshin emrat e njerëzve që takonin ministrin. Në këto fletë blloqesh del emri i Shkëlzen Berishës, i cili ka takuar Mediun në datat 18 mars 2007 si dhe në datat 17, 18, 19 dhe 20 korrik 2007. Për fat te mire, te pakten Anjola Agolli eshte thirrur si deshmitare. 

 Blloku i shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut për takimet me Shkëlzenin

2. Dëshmia e sekretares së Aldo Bumçit Anjola Agolli

Ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, në dëshminë e saj dhënë prokurorëve implikoi direkt Shkëlzen Berishën, në demontimin e armëve në Gërdec. Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se "Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin..." Agolli ka shpjeguar procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një faks privat që ish-ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim Shkëlzen Berishës, për t'i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n që aprovonte biznesin e demontimit të armëve në Gërdec. 

 Deshmia e Sekretares se Aldo Bumçit për rolin e Shkëlzenit

3. Mediu dhe Berisha nisin lëvizjet për ngritjen e fabrikës së vdekjes, Rusmaili e kundershtoi

Që në fillim të vitit 2007, Fatmir Mediu çon në qeveri vendimin për t’i dhënë kontratën e demontimit kompanisë për të cilën ishte interesuar Shkëlzenit. Mediu shfaqet nervoz, pasi vendimi i tij po diskutohej gjatë në drejtorinë juridike të qeverisë. Berisha ishte gati ta miratonte, por pas një ndërhyrje kundërshtuese e zëvendëskryeministrit, Ilir Rusmali, ndryshoi planet. Debate pati edhe në një mbledhjet të qeverisë së datës 17 shkurt 2007. Nga procesverbali rezulton se Rusmali ka pohuar se qeveria nuk mund të bënte tender për demontimin. Kështu, tenderin e paracaktuar e bëri vetë Mediu, duke shënuar edhe shkeljen e parë nën ndikimin e Familjes Berisha, shkelje e cila do t’i paraprinte tragjedisë. Koha e zhvillimit të tenderit nga Mediu përkon me vizitat e Shkëlzenit në zyrën e tij.

 Procesverbali i qeverisë, Mediu kërkon miratimin e vedimit për punishten e demontimit

4. Doli kundër, Rusmali ndëshkohet nga Berisha

Ilir Rusmali, i cili u pozicionua kundër biznesit të Gërdecit në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007, u ndëshkua më pas nga Sali Berisha. Fillimisht, Berisha e përjashtoi Rusmalin nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2013, duke e larguar nga Parlamenti. Në vijim, Rusmali u përjashtua gradualisht edhe nga strukturat e PD. Në zgjedhjet e 2017, Rusmali u la sërish jashtë listës së kandidatëve për deputetë të PD. Hakmarrja vazhdoi, pasi në tetor të vitit 2020, PD-ja vuri dje veton duke përjashtuar Ilir Rusmalin nga gara për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

M

5. Dëshmia e Bamir Topit dhe pista fallso e sajuar nga Berisha ne Keshillin e Sigurimit Kombetar

Implikimi i Shkëlzen Berishës në Gërdec dhe qëndrimi kundra i Ilir Rusmalit trajtohet edhe nga ish-presidenti Bamir Topi, në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), duke iu referuar diskutimeve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas shpërthimit te 21 marsi 2008. Bamir Topi shkruan se “Fillimisht ishte propozuar një repart ushtarak në Bërzhitë, fshat në juglindje të Tiranës, afër Petrelës. Me sa kuptoja nuk ishte pranuar, për shkak të infrastrukturës mbështetëse, që nënkuptonte rrugën e cila ishte e ngushtë për makina të mëdha transporti. Gërdeci, pranë Vorës, ishe vend ideal për përfituesit e këtij biznesi gjigant, ku ishin përfshirë sipas informacionit dhe medias edhe familjarë të Berishës, madje edhe baxhanaku i tij, Muhamed Hoxha, mbeti i vrarë. Përflitet që i biri kishte qenë aktiv qysh në procesin e vendimmarrjes, kur duhej të merreshin mendimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë; madje Ilir Rusmali i kishte dhënë mendim negativ, por çdo gjë u realizua në Këshillin e Ministrave”. 

Në të njëjtën mbledhje, Berisha shpiku pistën e agjenturave të huaja si shkaktare të tragjedisë, ekzaktësisht siç pat bërë në vitin 1997 për të fshehur përgjegjësitë e shpërthimit të skandalit të Piramidave. “Sali Berisha, në fjalën e tij, e quajti shpërthimin një 11 shtator shqiptar, duke hedhur vështrimin në ngjarjet tragjike të 11 shtatorit në SHBA, me nënkuptimin që mund të ketë ndonjë dorë nga agjenturat e huaja të vendeve jomiqësore ndaj Shqipërisë” shkruan Bamir Topi.

Eshtë sekuestruar si provë dokumentare procesverbali i asaj mbledhje që ndodhet në arkiv te Presidencës? 

6. Gjenerali Luan Hoxha dhe ushataraket denoncojne punimet e paligjshme në Gërdec

Sali dhe Shkëlzen Berisha, në rrugën për realizimin e aferave financiare, janë përballur me njerëz që kanë kundërshtuar shkeljen e ligjit dhe që kanë denoncuar veprimet arbitrare. Komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, denoncoi tek Fatmir Mediu dhe ish-shefi i Shtabit, Luna Hoxha, prishjet e paligjshme të godinave ushtarake në Gërdec nga kompania e Delijorgjit, për të ndërtuar fabrikën.. Kjo shkresë, e cila u injoruar, tregon se gjithçka po bëhej në mënyrë jo të rregullt dhe nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila në këtë rast punonte për një biznes, për të cilin ishte interesuar Familja Berisha.

 Ushtarakët denoncojnë veprimet e abitrare në Gërdec 

7. Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për ankesën e komandanti i Policise ushtarale Astrit Jaupi

13 muaj pas shpërthimit, në 17 prill 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i nis një kabllogram Departamentit Amerikanë të Shtetit për Gërdecin, ku ndër të tjera i raporton se “Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar ish- Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit “Trans Digging Construction” po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim. Përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten...”.

8. Në skenë del Rrahman Selmanllari, ‘vëllai’ i Shkëlzenit

Historia nuk mund të ishte kaq e plotë pa Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës. Selmanllari, i cili në atë kohë në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme, u shfaq si përfaqësues i kompanisë amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kishte lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gëedec. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec.

: Shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari përfaqësues i kompanisë së demontimit

9. Lidhja mes Patrik Henrit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit

Patrik Henri III, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Delijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Ndryshe nga Selmanllari, Patrik Henri III rezulton mes deshmitareve.

10. Shpërthimi, Mediu 4 biseda telefonike me Shkëlzen Berishën

Ka një moment kyç që zbulon se kush ishin pronarët e vërtetë të biznesit kriminal të demontimit të municioneve në Gërdec. Janë lëvizjet e para të Fatmir Mediut kur shpërtheu fabrika në Gërdec. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tablatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Telefonatën e parë, Mediu e bën me Shkëlzenin në orën 14.08 minuta. Në orën 16.31 minuta, Mediu ka folur sërish 37 sekonda me Shkëlzen Berishën. 10 minuta më pas ka follat përsëri 32 sekonda. Atë ditë Mediu ka zhvilluar një bisedë të katërt me Shkëlzenin, në orën 5 të pasdites dhe ka zgjatur 56 sekonda. Për 13 vjet më radhë, Mediu dhe Shkëlzeni nuk kanë folur kurrë për këto telefonata dhe as nuk janë pyetur nga drejtësia.

Tabulatet, telefonata e Mediut me Shkëlzenin 

11. Mihal Delijorgji i telefonon Shkëlzenit pas shpërthimit

Të gjithë veprojnë dhe sillen rreth Shkëlzenit. Në 12:10 të 15 marsit 2008 shpërtheu fabrika në Gërdec dhe tragjedia ishte në zhvillim e sipër. Pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i "Albademil" Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha. Sipas tabulateve telefonike, Delijorgji i ka telefonuar Shkëlzen Berishës në orën 12:48 dhe biseda ka zgjatur 54 sekonda. Mbetet mister se çfarë kanë biseduar Delijorgji dhe Shkëlzeni, ndërsa ku moment kuç është injoruar nga hetimet. Pas Shkëlzenit, Delijorgji i ka telefonuar disa herë Ilir Metës, i cili një vit më vonë do të bashkohej me Sali Berishën.

Tabulatet, Delijorgji i telefonon Shkëlzenit 

12. Ish-shefi i Shtabit Luan Hoxha: Shkëlzeni më bëri presion!

14 muaj pas Gërdecit, në 17 qershor 2009, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, i sapo shkarkuar, i kërkon një takim me urgjencë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për të rrëfyer të vërtetën e Gërdecit. Takimi dhe rrëfimit reflektohet në një kabllogram sekret që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, tre ditë më pas, në 20 qershor 2009. Në kabllogram shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.  Sipas kabllogramit “ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”. I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”. Më pas Berisha e shpalli armik ambasadorin amerikan, madje përmes Ilir Metës, tentoi ta dëbonte nga Shqipëria, por kërkesa e Metës si ministër i Jashtëm u refuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërkaq, Luan Hoxha mori azil politik në SHBA. Ndryshe nga Sali Berisha, Luan Hoxha rezulton mes deshmitareve.

Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për rrëfimin e Luan Hoxhës 

13 - Kosta Trebicka: E paralajmërova Shkëlzen Berishën

Emri i Shkëlzen Berishës si personi që fshihej pas biznesit në Gërdec u lakua për herë të parë nga biznesmeni Kosta Trebickës, dëshmitari kyç i Gërdecit dhe trafikut të armëve, i eliminuar më pas mbi Voskopojë, përmes një inskenimi si aksident. Kosta Trebicka akuzoi Shkëlzen Berishës se kishte ndërhyrë Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida, për të nxjerrë Trebickën jashtë loje nga biznesi e ambalazhimit të municioneve në Gërdec. Madje, para se të eliminohej, Kosta Trebicka e ka kërcënuar hapur Shkëlzen Berishën se do të fliste për rolin e tij në këtë histori. Pas shpërthimit, Trebicka ka pohuar se “E paralajmërova z. Shkëlzen se dokumentet do të kalojnë në dispozicion te investigatorëve specialë që do vijnë nga Rocki Aljend nga departamenti i armatimit, të cilët do vononin të nisnin investigimet për këtë skandal në Shqipëri. Unë jam shumë i hapur. Le të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk jam i përzierje në këto afera me tha Shkëlzeni. Atëherë unë them se kam bërë shumë mire që e lajmërova z. Shkëlzen sepse e kisha për detyre që ta lajmëroja. Mendova se ai ishte implikuar pa dashje në këto afera dhe mendova se duhet lajmëruar kryeministri, i cili do të merrte masa drastike për të shkatërruar këto plane dhe për të vazhduar ecurinë e punës”. Por, Kosta Trebicka u gjet i vdekur disa javë më pas në 12 shtator 2008.

 Intervista e Kosta Trebickës ku paraljmëroi Shkëlzenin

14 - Efraim Diveroli:  Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij

Efraim Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida. Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec.

Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “...kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”. Përgjimet janë pranuar nga Berisha dhe Shkëlzeni. Por, edhe Diveroli, ashtu si Luan Hoxha dhe Trebicka, më pas është tërhequr në mënyrë të dyshimtë, duke deklaruar se ka gënjyer.

Janë një mal me prova, dëshmi, shkresa, përgjime etj., që e nxjerrin në pah dimensionin e implikimit të Shkëlzen Berishës në Gërdec, duke përdorur pushtetin e babait Sali. Qyqi ndaj Fatmir Mediut është ndoshta rasti i fundit i Drejtësisë shqiptare për të zbuluar të vërtetën mbi masakrën e Gërdecit dhe përfituesve realë dhe porositësve të Fatmir Mediut, që me shumë gjasa ka qenë thjeshtë një ekzekutor material. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pergjigje per skiptarte: 04/10/2023 14:46

    Pse SPAK shmang të thërrasë si dëshmitarë kyç Sali Berishën, kunatën dhe Rrahman Selmanllarin, shokun e Shkëlzenit? Pergjigja:Nuk thirren sepse kjo qe do te zhvillohet eshte nje gallate me popullin skipetar...Madje me taksat e skiptareve...

    Përgjigju
  • Tirona: 25/09/2023 12:54

    Nuk thiren si dëshmitare sepse së shpejti do të arrestohen

    Përgjigju
  • Ben: 24/09/2023 20:03

    Po Delijorgji, firma qe bente demolimin,pse nuk thirret si deshmitar?Ky eshte kryesori.E çuditshme.

    Përgjigju
  • I.lir.: 24/09/2023 18:04

    A nuk ju ben pershtypje se sikur gjysma e ketyre fakteve te rezultonin per nje person tjeter te zakonshem shqiptar care do i kishte ndodhur.? Do kishte perfunduar ne kokerr te burgut e çelsin e qelise do ja kishin hedhur ne det,bile ne gojen e ndonje peshkaqeni qe do kalonte ne ato ujra ku do hidhej çelsi. Kurse çunit te ishkrye..... ??? Joooo s'mundet kush kurre as te guxoje te imagjinoje se do mund te vetem te dyshonte per te.!!! Asnjiher...Joooo! Ai eshte çuni i ishkrye..... Por kur te behemi ne ish.... çdo mund tu ndodhe çunave tane???? Prandaj duhet ta dije ky popull qe per çdo çun te çdo ishkrye.... nuk mund te dyshohet kurre...kurre...kurre.

    Përgjigju
    • Rajmondi: 25/09/2023 11:31

      Dëshmitar duhet të thiret dhe Zija Baja,ish komandant i Komandës Mbështetëse,i cili përpilonte urdhëra për dërgimin e municioneve të kalibrave të lartë për demontim në Gërdec,si dhe manipulimet me municionet e këmbësorisë 7.62 mm të prodhimit kinez,të cilët i ambalazhonin në kuti kartoni për të humbur gjurmët e origjinës,duke thyer embargon.

    • Analisti: 24/09/2023 22:15

      Ose nuk thirret Shpetim Spahiu ? Komandanti i KFB ? Ai eshte pergjegjes per ruajtjen.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?