Pas hapjes së aplikimeve për pasardhësin e kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Ambasadori Gjerman në Tiranë, Karl Bergner, vlerësoi punën e kreut të SPAK Altin Dumani gjatë këtyre viteve në krye të këtij institucioni të drejtësisë.
Përmes një postimi në faqen e Ambasadës gjermane në Tiranë, thuhet se procesi i nisur tashmë për të zgjedhur në krye të SPAK kreun e ardhshëm duhet që të jetë transparent.
‘Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë.
Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm. Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE’, thuhet në postim.
Kandidatët që synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme pas 18 dhjetorit kur mandati i Altin Dumanit përfundon do të kenë kohë deri më 8 tetor për shpalljen e kandidatura. Në prani të përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli zyrtarisht sot garën. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.
Komente
