Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka miratuar sot projektligjin për një qendër të përbashkët policore dhe doganore me Greqinë. Edhe Partia Demokratike ka dalë pro, ku deputeti i PD-së Ervin Salianji u shpreh se padiskutim që janë pro.
‘Padiskutim që jemi pro, siç jemi për çdo marrëveshje ndërkombëtare. Nisur nga fakti që është kërkuar nga pala greke por edhe nga gjithë situata e kriminalitetit të shtuar nga trafiku i klandestinëve, krimi i organizuar, trafiku i drogës , me ekstremizimin e dhunshëm me krime të rënda, të cilat për fat të keq për shkak të gjendjes së rëndë të sigurisë dhe krimit në Shqipëri janë eksportuar dhe në vende të Be dhe në Greqi. Po duket se po kërkohet një marrëveshje tjetër nga një vend tjetër i BE kufitar, që duket qartë se kërkon më shumë informacion për grupet kriminale dhe kjo marrëveshje tregon edhe nga aktorë të jashtëm atë që shohin shqiptarët që këtu kërcet arma në mes të ditës dhe krimi është në nivele të larta.'- tha Salianji.
I pranishëm në komision, zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila, ka shpjeguar detajet nga marrëveshja, qëllimin që ka dhe si do zhvillohet. Në fokus të kësaj marrëveshje është shkëmbimi i informacionit për çështje të përbashkëta. Zëvendësministri sqaroi se qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe kjo nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore, pasi qendra do të ketë detyra të mirëpërcaktuara dhe të pavarura nga detyrat e organeve doganore dhe policore.
'Funksionimi i kësaj qendre nuk do sjellë mbivendojse me organet doganore policore pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet shkëmbimit të informacionit. Kjo është qendër e përbashkët e shkëmbimit dhe analizimit të informacionit. Kjo qendër trajton të gjithë çështjet dhe elementët që janë të ngjashme për të gjitha kalimit kufitar. Nuk është qendër e kalimit të përbashkët të mjeteve e mallrave. Shkëmbim informacioni për çështje të përbashkëta'.- tha Mahila.
Ndër të tjera ka sqaruar dhe skuadrën e kësaj qendre që do jetë e përbërë nga 2 grupe, njëra nga pala shqiptare dhe tjetra greke.
'Nuk ka mbivendosje për çështjet operative, ekzekutive. Zyrtarët e qendrës s’kanë kompetencë dhe s’marrin pjesë në veprime operative që i përkasin policisë apo pjesës së drejtorisë së përgjithshme të doganave. Kjo qendër është përcaktuar të ketë në mënyrë të barabartë 5 zyrtarë nga secila palë. Nga pala jonë është përcaktuar një punonjës policie me gradën nën komisar dhe 4 punonjës policie me gradën inspektor. Angazhimi i tyre është vetëm për grumbullimin dhe shkëmbimin e informacionit'.- tha zv.ministri.
Ngritja e pikës së përbashkët doganore me Shqipërisë dhe Greqisë do të behët për të parandaluar një sërë krimesh si kontrabanda, trafikimin e emigrantëve dhe lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy vendeve ku përmes shkëmbimit të informacioneve mes palëve do të krijohet reciprocitet në luftën kundër krimit.
(Klikoni këtu për të lexuar marveshjet)