Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç ka bërë të qartë për “Zërin e Amerikës” se agjenda e bisedimeve Prishtinë-Beograd përcaktohet nga vet palët dhe se ndërmjetësuesi i bisedimeve nuk ndërhyn në temat që sjellin palët në tryezë.
Mediat serbe cituan të martën se ajo pohonte se çështja e ndërmarrjes së Trepçës, një kompleks minierash në Kosovë, duhet të përfshihet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo solli më pas reagimin e ashpër të kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj. “Trepça nuk është çështje e hapur dhe në asnjë moment, populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false, që kanë qartazi për qëllim ndarjen e Kosovës”, ishte komenti i tij.
Koçijançiç fill pas këtij reagimi, në një përgjigje për shkrim dhënë “Zërit të Amerikës”, theksoi se Bashkimi Evropian nuk i komenton çështjet që Kosova dhe Serbia duan të diskutojnë. “Ata i sjellin në tryezë çështjet, të cilat i konsiderojnë të hapura, e pastaj vendosin nëse duhet të flasin për to, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, u shpreh ajo.
Çështja e Trepçës për Serbinë nuk është zgjidhur ende, ndërsa për Kosovën ajo ka marrë fund në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi ligjin e Trepçës, që e shndërron atë në ndërmarrje me shumicë aksionesh shtetërore.