Shqiptarë në Kishën e Laçit

Opinion
Periferi

Harmonia e rrallë fetare është pasuria jonë kombëtare që mund t’i ofrojmë Europës dhe botës

28 Mars, 19:30| Përditesimi: 28 Mars, 19:39

  • Share

Kur një njeri, një çift, një familje, një vend jeton në harmoni të gjithë pyesin: Cili është sekreti? Në prag të Bajramit, në ditën e fronëzimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, ashtu si në çdo ceremoni tjetër të mëparshme, të shohësh afër e afër shqiptarë të besimeve të ndryshme që qëndrojnë në paqe, në meditim, në adhurim, në gëzim, është një mrekulli. Një mrekulli që e kemi mes nesh prej vitesh dhe duhet ta shijojmë dhe ta ofrojmë me të gjithë bukurinë që përmban në të. Ndonjëherë e harrojmë, prandaj bën mirë çdo shqiptar që e nënvizon dhe e sjell në vëmendje.

Nuk duhet të marrim për të mirëqënë një arritjen tonë harmonike dhe siç e dimë shumë mirë të gjithë, nuk e arrijmë dot në të tjera hapësira si ajo politike për shembull. Të jetosh në harmoni, të provosh harmoninë, ta realizosh atë, do të thotë të afrohesh sa më afër në bërthamën, në grimcën më të vogël të realizuar prej Krijuesit. Harmonia është në bazë të atomit që përbën çdo gjë mbi Tokë dhe përtej saj. Pa harmoninë e Universit, është shkatërrim.

Shumë prej shqiptarëve e kanë provuar paqen, qetësinë, heshtjen, shërimin në të martat e Kishës së Shna Ndoit ku katolikë, myslimanë, ortodoksë e bektashinj do t’i shohësh të ngjiten lart duke kërkuar, duke menduar, duke shpresuar vetëm për mirë. Një vend të shenjtë e bën me siguri mister i Krijuesit dhe shenjtët që e kanë prekur më parë atë, por mendimet pozitive dhe konstruktive të qindra mijëra njerëzve, besimtarëve, i japin aureolën magjike që të çon në shërim.

Shembulli i Shqipërisë mund të gjendet në dhjetëra e dhjetëra shprehje të Nënë Terezës, e cila, ashtu, e vogël, e kërrusur, e vetme, e plakur, dinte të bënte “gjëra të vogla, por me shumë dashuri”. Nënë Tereza kishte zbuluar sekretin çudibërës të harmonisë.

Eshtë kjo pasuria më e madhe dhe më e rrallë që me krenari mund t’ja ofrojmë kujtdo: fqinjëve, Europës, botës.

Ka disa shtylla kryesore që ne mund të na shërbejnë që të vazhdojmë e ta ruajmë këtë diamant të rrallë në shoqërinë tonë: Historia e gjatë e tolerancës kur për shekuj me radhë, myslimanët, të krishterët (katolikë dhe ortodoksë) dhe komuniteti bektashi kanë jetuar pranë njëri-tjetrit pa konflikte të mëdha fetare. Ky model i bashkëjetesës ka vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë më 1912 dhe gjatë shekullit XX.

Identiteti Kombëtar vazhdon të qendrojë përmbi besimin. Ne e identifikojmë më shumë veten si shqiptarë sesa me përkatësitë tona fetare. Parimi i famshëm i Rilindjes Kombëtare, “Feja e shqiptarit është shqiptaria,” ka ndikuar në kultivimin e një identiteti kombëtar që tejkalon dallimet fetare, por Rilindasit e gjetën atë shprehje mes nesh. Është ky një shembull për Europën dhe Botën. Shumë europianë dhe organizata ndërkombëtare e kanë lavdëruar Shqipërinë për modelin unik të tolerancës fetare duke vënë në dukje respektin e ndërsjellë. Është normale për ne të festojmë së bashku festat fetare, si Bajramin, Pashkët apo Krishtlindjet, pavarësisht nga besimi personal. Kjo krijon një ndjenjë uniteti dhe respekti të rrallë. Edhe roli i Komuniteteve Fetare është për t’u çmuar pa masë, pasi të gjitha dhe sidomos kryesoret, japin shembullin personal për ta ruajtur dhe ushqyer harmoninë. Janë ato të parat, me drejtuesit e tyre që promovojnë dialogun ndërfetar dhe bashkëpunimin për çështje të rëndësishme si edukimi, mirëqenia sociale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Harmonia fetare shqiptare është një thesar kulturor dhe social që duhet ta pranojmë dhe theksojmë se ka kontribuar në stabilitetin e vendit dhe në imazhin pozitiv që Shqipëria po fiton në arenën ndërkombëtare. Bashkë me rininë, gjallërinë, entuziazmin tonë, është ky diamanti që mund të ofrojmë sot si shqiptarë në botë.

 

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?