Një çift turistësh holandezë të cilët ishin me pushime në Liguria, Itali kanë harruar çantën e shpinës në një furrë buke ‘Leone Di Taggia’, ku brenda saj kishte një celular, një portofol dhe një zarf me 15 mijë euro.
Shitësja pasi pa çantën, ka gjetur numrin e telefonit të njërit prej turistëve dhe u ka telefonur atyre duke u kthyer gjithçka që ata kishin në çantë, raportojnë mediat e huaja.
“Çifti kohët e fundit kishte qenë në dyqan, kishte blerë bukë dhe ëmbëlsira. Kuptova se e kishin lënë çantën e shpinës, e hapa për të gjetur se kujt i përkiste. Të dy mbërritën menjëherë, më falenderuan, duke thënë se do të kthehen shpesh në furrë”, tha shitësja, Laura Braço.
Ajo tha se turistët kishin hapur zarfin prej 15 mijë urosh, për t’i dhënë shitëses shpërblim, por kjo e fundit nuk ka pranuar. Turistët kishin treguar se paratë do përdoreshin për të rinovuar një shtëpi që të dy kishin marrë aty pranë.
“E rëndësishme është që t'ua kthejmë menjëherë pronarëve çantën e harruar të shpinës. Nuk e dija sa lekë kishte në zarf, nuk e shikoja, ata e hapën kur u kthyen, por edhe po ta shikoja atë shifër prapë sjellja ime nuk do të ndryshonte”, tha shitësja.
Të kontaktuar nga gazeta Ligurian, çifti holandez shpjegoi gjithashtu se çfarë ndodhi:
“Ditën e djeshme bëmë një turne në Taggia dhe shkuam në një furrë buke në sheshin kryesor ku një shitëse e sjellshme na tregoi produktet e saj, duke na sugjeruar vendet se çfare duhet të vizitonim duke na treguar për origjinën e festave të San Benedetto dhe Maddalena. Pastaj u larguam. Pas gjysmë ore erdhi një telefonatë që na njoftoi se e kishim lënë çantën e shpinës në dyqan. Duam të falenderojmë publikisht këtë zonjë të ndershme dhe të sjellshme, ne do të kthehemi patjetër në atë furrë buke”, thanë çifti holandez.