Harta e re gjyqësore, avokatët debat në Report Tv, Duraj: Shkurton shpenzimet nga buxheti i shtetit, të shmangen rekurset e padobishme! Qafa: Sjell rritje të kostove për qytetarët

18 Janar 2022, 19:43| Përditesimi: 18 Janar 2022, 20:39

  • Share

Harta e re gjyqësore do të reduktojë ndjeshëm numrin e gjykatave në vend, por kjo nuk është përkrahur nga pjesa më e madhe e avokatëve. Por përveç zërave kundër, ka edhe pro saj, ku në një intervistë për Report Tv, dy avokatët Ilir Qafa dhe Alban Duraj kanë treguar përfitimet por edhe problematikat e hartës së re gjyqësore.

Si ndër të pakët zëra mes avokatëve pro hartës së re gjyqësore, Alban Duraj tha në "Studio Live" për gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj se reduktimi i gjykatave është pozitive pasi në disa qytete me pak banorë dhe që nuk kanë numër voluminoz të çështjeve për të trajtuar si Përmeti, Puka, Mati, vetëm ka kosto nga buxheti i shtetit. Gjithashtu Duraj theksoi se është mjaft e rëndësishme që të forcohet procesi i ndërmjetësimit në mënyrë që disa çështje të mos shkojnë fare në gjykatë.

"Unë mendoj se është pozitive. Së pari gjykatat do të jenë më efikase, do të shtohet numri i gjyqtarëve, do të rritet cilësia. Aktualisht gjykatat me pak çështje kanë kosto për buxhetin e shtetit. Gjithashtu duhet të shmangen rekurset e padobishme, duhet të fuqizohet procesi i ndërmjetësimit që jo çdo çështje të përfundojë në gjykatë", tha Duraj.

Ndërsa avokati Ilir Qafa tha se kjo hartë e re gjyqësore sjell problematika të mëdha për qytetarët, por edhe një rritje të kostove të tarifave, pasi avokatit do i duhet të udhëtojë nga qyteti në qytet. Avokati Qafa tha se nëse nuk rritet numri i gjyqtarëve nuk do të ketë zgjidhje të problemit të mbingarkimi.

"Drafti ka problematika, kjo nisi pas numrit të konsiderueshëm që u shkarkuan nga vettingu. Kjo ka sjellë mbingarkesë të gjyqtarëve me çështje. Natyrisht kjo hartë e re do të sjellë rritje të kosto për qytetarët për marrjen e avokatëve, pasi avokatit do i duhet të udhëtojë në qytetin ku është gjykata. Nëse numri i gjyqtarëve mbetet i njëjti, nuk do të zgjidhë problemin", tha ai.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.  Pra, nga propozimi konludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.

Gjykatat e propozuara të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm: Berat; Elbasan; Tiranë; Vlorë; Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit); Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës); Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës); Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit); Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës); Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit); Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit); Shkodër (bashkuar me Gjykatën e Pukës). 

Gjykata e propozuar të Apelit të juridiksionit të përgjithshëm: Tiranë

Gjykatat e propozuar të shkallës së parë të juridiksionit Administrativ: Tiranë  (për gjykatat e shkallës së parë në Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë) dhe Lushnjë (Për gjykatat e shkallës së parë në Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër)

Gjykata e propozuar e Apelit të juridiksionit Administrativ: Tiranë

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?